Last Updated on 27/05/2026 by EL
Nga Eduard Dervishaj
Shkruante dikur një gazetar spanjoll: “Kujt i përket futbolli? Duke parë drejtimin që po merr, duket sikur njerëzit me kostume dhe parfume të shtrenjta po i rrëmbejnë popullit një lojë që dikur ishte e tij.”
Megjithatë, sonte futbolli do të rikthehet te njerëzit e zakonshëm. Te dy lagje periferike të dy kryeqyteteve që janë pika referimi të futbollit botëror, Londër dhe Madrid. Qytete ku luajnë disa nga klubet më të mëdha dhe më të pasura të planetit. Dhe pikërisht nga hijet e atyre gjigantëve, sonte dalin në skenë dy skuadra që mbajnë ende gjallë shpirtin e futbollit të lagjeve.
Në finalen europiane të UEFA Conference League do të zbresë një skuadër e një lagjeje të Madridit, një ekip i klasës punëtore, një klub që nuk mund të krahasohet me komshinjtë e tij të pasur por që me punë, djersë, krenari dhe me besnikërinë e njerëzve të vet ka mbërritur deri këtu. E njoh këtë klub dhe stadiumin e tij; aty ende ndihet aroma e futbollit të vërtetë, e atij futbolli që lind në rrugë, në lagje dhe në tribuna popullore. Për herë të parë në historinë e tij, ky klub prek një finale europiane. Një histori që duket sikur vjen nga një kohë tjetër.
Në 95 sezone të futbollit spanjoll, kjo skuadër ka qenë vetëm 23 herë pjesë e elitës. Arritja më e madhe? Një vend i tetë. Asnjëherë protagonist i tregut, asnjëherë pjesë e tavolinave të mëdha të futbollit europian. E megjithatë, sonte rreth 12 mijë tifozë do të jenë në stadium, jo thjesht për të ndjekur një skuadër por si një familje që ndjek djemtë e vet. Sepse ka klube që nuk maten me trofe. Ka klube që maten me mënyrën se si njerëzit i duan, i mbështesin dhe vazhdojnë t’u qëndrojnë pranë, pavarësisht rezultateve. Është kjo arësyeja që mesataria e tifozave në stadium gjatë ndeshjeve të kampionatit spanjoll është 82%.
Përballë do të jetë Crystal Palace. Një tjetër histori e bukur e futbollit anglez. Vitin e kaluar fituan FA Cup ndaj Manchester City-t, trofeun e parë pas 164 vitesh pritjeje. Një triumf që nuk ishte vetëm sportiv por emocional, njerëzor, pothuajse poetik. Ishte fitorja e një komuniteti që kishte pritur brez pas brezi vetëm për një çast lumturie. Kam shkruar për ta vitin e kaluar dhe pikërisht atëherë mendova se futbolli ende di të prodhojë histori që nuk mund të blihen.
Dhe sonte, këto dy skuadra “të vogla” do të përballen në një finale europiane. Dy fanella që mbajnë mbi vete historinë, krenarinë dhe ëndrrat e njerëzve të zakonshëm.
Ndoshta pikërisht këtu fshihet ende thelbi i futbollit. Në lokalet e lagjeve ku njerëzit mblidhen për të parë ndeshjen. Te baballarët që ua trashëgojnë fanellën fëmijëve. Te tifozët që nuk i kthejnë kurrë shpinën klubit edhe kur skuadra humbet.
Sepse futbolli nuk u përket vetëm atyre që e kanë më të lehtë të ndërtojnë suksesin. Nuk u përket vetëm dinastive të mëdha që kanë fuqinë të marrin lojtarët më të mirë nga çdo cep i botës. Futbolli u përket edhe atyre që nuk i kanë ato mundësi por që e duan lojën me të njëjtin pasion, ndoshta edhe më shumë.
Dhe sonte, çfarëdo që të ndodhë në fushë, fiton pak edhe futbolli i lagjeve.

