Last Updated on 09/11/2026 by Klara
Një kasafortë e fshehur pas një muri të rremë, që mund të hapet vetëm përmes njohjes së fytyrës, gjurmëve të gishtërinjve dhe disa mekanizmave të tjerë të sigurisë, është zbuluar gjatë kontrollit të vilës luksoze të ish-presidentit të Paraguajit, Santiago Peña, në qytetin San Bernardino.
Sipas mediave paraguajane, agjentët e prokurorisë dhe policisë zbuluan fillimisht një korridor sekret në njërën prej dhomave të rezidencës. Korridori i çoi drejt një dere të blinduar, të pajisur me një sistem sigurie të nivelit 7, që kërkon kalimin e katër mekanizmave të ndryshëm për t’u hapur.
Për të hyrë brenda kërkohet njohja e fytyrës ose e irisit të syrit, identifikimi përmes gjurmëve të gishtërinjve, vendosja e një kodi PIN dhe përdorimi i çelësave të posaçëm mekanikë të tipit Multilock. Sipas raportimeve, sistemi përdor teknologji të avancuar sigurie me origjinë izraelite.
Pamjet e publikuara nga mediat vendase tregojnë hyrjen e fshehtë dhe korridorin që të çon drejt derës së blinduar. Megjithatë, hetuesit nuk kanë mundur ta hapin kasafortën dhe ende nuk dihet se çfarë ndodhet brenda saj.
Kontrolli u zhvillua të dielën, më 8 nëntor, në zonën Ciervo Cuá të qytetit San Bernardino, në kuadër të hetimeve për skandalin financiar të bankës Ueno.
Operacioni u drejtua nga prokurorët Silvia González, Christian Benítez dhe Elena Fiore, në bashkëpunim me Policinë Kombëtare. Sipas Prokurorisë, kontrollet synojnë mbledhjen e provave për veprat penale për të cilat po hetohet ish-kreu i shtetit.
Santiago Peña u shkarkua nga detyra më 7 nëntor, pas një procesi të jashtëzakonshëm politik në Kongres, ndërsa drejtimin e vendit e mori zëvendëspresidenti Pedro Alliana.
Pas shkarkimit, Peña u akuzua për shpërdorim të besimit dhe administrim në interes personal, akuza që ai i mohon.
Ish-presidenti dyshohet se ka përdorur ndikimin e tij politik për të orientuar shuma të mëdha parash publike drejt bankës Ueno. Autoritetet po hetojnë gjithashtu marrëdhëniet e tij financiare me grupin që zotëronte bankën.
Kriza financiare preku miliona klientë, duke ngrirë llogaritë e afro 3 milionë personave. Sipas raportimeve të Associated Press, hetuesit po shqyrtojnë lëvizjen e qindra miliona dollarëve nga fondet publike, si dhe dyshimet për kredi të brendshme me rrezik të lartë.
Ndërkohë, vila ku u zbulua kasaforta rezulton e deklaruar në pasurinë e Peña-s me një vlerë prej rreth 7.75 miliardë guaraní. Në dosjen hetimore përmenden edhe dy kredi të marra nga banka Ueno, me një vlerë të përgjithshme prej 3.548 miliardë guaraní.
Për momentin, mbetet mister se çfarë fshihet pas derës së blinduar dhe nëse brenda saj ka dokumente, para apo sende të tjera që mund t’u shërbejnë hetuesve./k.m
