Pas një periudhe të gjatë heshtjeje, Chiara Ferragni ka vendosur të flasë hapur për një nga periudhat më të vështira të jetës së saj, duke zbuluar detaje të dhimbshme nga martesa me reperin italian Fedez, tradhtitë që zbuloi dhe krizën personale që pasoi ndarjen.
Në një intervistë ekskluzive për revistën “Vanity Fair Italia”, të publikuar më 17 nëntor 2026, influencerja dhe sipërmarrësja italiane ka rrëfyer se për një kohë të gjatë kishte besuar se dashuria mund të kapërcente çdo problem, pavarësisht vështirësive që po përjetonte në marrëdhënien e saj.
“Federico ishte familja ime. Nuk ishte një familje perfekte, por ishte familja që shpresoja se do të zgjaste. Të ndihesha e braktisur më lëndoi shumë. Kur shembet gjithçka ku ke besuar, kupton se ndoshta ke qenë e vetmja që e ka jetuar vërtet atë marrëdhënie”, është shprehur Ferragni.
Ajo ka pranuar se gjatë martesës shpesh ndihej e vetmuar, ndërsa disa sjellje që sot i konsideron toksike, në atë kohë i kishte ngatërruar me shenja dashurie.
“Me Federico ndihesha vetëm. Disa toksiciteti përfundon duke i ngatërruar me shenja dashurie”, ka rrëfyer ajo, duke pranuar se ndarja e detyroi të rishikonte gjithçka që kishte besuar për marrëdhënien e tyre.
Një nga momentet më tronditëse për të ishte zbulimi i tradhtive të Fedez. Në rrëfimin e saj, Ferragni përmend edhe Angelica-n, një grua me të cilën reperi kishte pasur një marrëdhënie. Ajo tregon se hera e fundit që kishte parë bashkëshortin me të kishte qenë vetëm një muaj para dasmës së tyre.
Ferragni është ndalur gjithashtu te episodi i festivalit të Sanremos, ku i kishte kërkuar Fedez-it ta respektonte dhe të ndihej krenar për të. Megjithatë, sipas saj, veprimet e tij e kishin bërë të ndihej e turpëruar përpara gjithë Italisë.
Por kriza në jetën e saj nuk lidhej vetëm me martesën. Ferragni ka folur edhe për periudhën e errët që përjetoi pas skandalit “Pandoro-gate”, i cili tronditi karrierën dhe biznesin e saj. Ajo ka pranuar se kaloi një periudhë depresioni, gjatë së cilës kishte mëngjese kur nuk arrinte as të ngrihej nga shtrati.
“Ka pasur mëngjese kur nuk arrija të ngrihesha. Në disa momente kisha frikë se truri im do të ndalonte së luftuari”, ka treguar ajo.
Në intervistë, sipërmarrësja ka bërë edhe një autokritikë të fortë për çështjen e produkteve të markës Balocco, duke pranuar se gabimi nuk ishte thjesht në mënyrën se si ishte komunikuar nisma, por në vetë mënyrën se si ishte organizuar ajo.
“Pas tre vitesh mund t’ju them se nuk ishte një gabim komunikimi, ishte gabim të ndërmerrnim të gjithë atë nismë”, është shprehur Ferragni, duke shtuar se nuk ka tentuar t’ua kalojë përgjegjësinë të tjerëve, pasi në atë kohë ishte vetë drejtuese ekzekutive e kompanisë.
Ajo ka folur edhe për marrëdhënien me ish-menaxherin e saj, Fabio Maria Damato, si dhe për vendimet profesionale që sot i sheh me një tjetër këndvështrim.
Dokumentar në Netflix dhe një kapitull i ri sentimental
Rrëfimi i Chiara Ferragni-t nuk do të mbetet vetëm në faqet e revistës. Ajo ka njoftuar edhe një dokumentar të ri në Netflix, të titulluar “CHIARA”, në të cilin do të tregojë nga afër tre vitet e fundit të jetës së saj.
Dokumentari pritet të trajtojë periudhën pas “Pandoro-gate”, krizën personale, fundin e martesës me Fedez, largimin e bashkëpunëtorëve të afërt dhe përpjekjen për të rindërtuar jetën e saj. Ferragni ka deklaruar se këtë herë dëshiron të tregojë historinë pa pasur kontrollin mbi çdo detaj të saj.
Ndërkohë, jeta sentimentale e influencueses duket se ka hyrë në një fazë të re. Pas ndarjes nga Fedez, ajo ka nisur një lidhje me José Hernández, me të cilin ka ndarë edhe momente publike gjatë vitit 2026. Në intervistë, ajo tregon se puthja e tyre e parë ndodhi më 1 janar 2026, duke e konsideruar si një fillim të bukur për vitin e ri.
Sot, Ferragni thotë se nuk jeton më për miratimin e të tjerëve dhe se ka mësuar të mos e lidhë lumturinë e saj me duartrokitjet e publikut.
“Unë e dua dashurinë dhe besoja te kjo ëndërr. Ai kishte shumë të meta, nuk ishim një çift perfekt, por kishte dashuri dhe mendoja se dashuria do të rregullonte gjithçka. Nuk ndodhi kështu. Sot nuk jetoj më për duartrokitjet e njerëzve. Sigurisht që miratimi i tyre më pëlqen ende, por nuk jam më e varur prej tij”, ka përfunduar ajo.
Pas vitesh të shoqëruara me skandale, polemika dhe vështirësi personale, Chiara Ferragni duket se po përpiqet të shkruajë një kapitull të ri, këtë herë duke lënë pas imazhin e përsosur që për vite me radhë ndërtoi në rrjetet sociale./ad
