Presidenti i Koresë së Jugut, Lee Jae Myung, ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare pasi ka publikuar një selfie me presidentin e Kinës, Xi Jinping, pas samitit dypalësh të zhvilluar në Pekin.
Fotografitë u shpërndanë nga vetë presidenti Lee në rrjetin social X, ku ai zbuloi se selfie-ja ishte realizuar me një telefon inteligjent të markës Xiaomi, të cilin e kishte marrë dhuratë nga presidenti kinez gjatë samitit APEC në Gyeongju vitin e kaluar.
“Imazhi është vërtet shumë i mirë, apo jo?… Fotografinë më të bukur të jetës sime e bëra falë jush,” shkroi Lee në postimin e tij, duke e shoqëruar me nota humori.
Ky ishte takimi i parë zyrtar mes dy liderëve, gjatë të cilit ata shkëmbyen edhe dhurata simbolike. Mediat raportojnë se gjatë momentit të dhuratave, presidenti koreano-jugor e pyeti Xi Jinping nëse komunikimi në telefonat Xiaomi ishte i sigurt. Kreu i shtetit kinez u përgjigj me humor të rrallë, duke thënë: “Mund ta kontrolloni vetë nëse ka ndonjë derë të pasme.”
Takimi u vlerësua si një hap i rëndësishëm në marrëdhëniet dypalëshe mes Koresë së Jugut dhe Kinës./mxh
