Prefekti i qarkut të Shkodrës ka dhënë përditësime lidhur me situatën e shkaktuar nga reshjet e shiu në 24 orët e fundit. Në njoftimin e mëposhtëm bëhet me dije se niveli i ujit në lumin Buna, lumin Drin, lumin Kir dhe lumin Gjadër janë nën kuotat e rrezikut për përmbytje.
Në territorin e bashkisë së Vaut të Dejës është raportuar një banesë me prezencë uji, ku banorëve u është dhënë ndihma e menjëhershme nga grupi i Emergjencave Civile. Ndërkohë në territorin e bashkisë Malësi e Madhe është konstatuar prezencë uji në zonat Rrazë dhe Veshtë por pa rrezik për banesat.
Bëhet me dije se po punohet për furnizimin me energji elektrike në zonën e Kelmendit. Gjithashtu po punohet për hapjen e kalueshmërisë së rrugës pranë lumit në zonën e Dragovojës.
Në territorin e Bashkisë Fushë-Arrëz janë evidentuar shkarje dherash dhe rënie gurësh në disa rrugë autorurale. Raportohet se grupi i Emergjencave Civile po kryejnë inspektime në terren dhe janë në monitorim të afërt të çdo situate emergjente.
Njoftimi i plotë:
Institucioni i Prefektit të Qarkut Shkodër informon mbi situatën aktuale në territorin e Qarkut Shkodër, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut gjatë 24 orëve të fundit.
Nga informacioni i administruar nga DRUK Lezhë, rezulton se ka pasur rritje të prurjeve nga përrenjtë dhe lumenjtë. Megjithatë, deri në këto momente nuk janë konstatuar problematika në kanalet kulluese, argjinaturat dhe digën e Rezervuarit Shtodër. Aktualisht, nivelet e ujit në lumin Buna, lumin Drin, lumin Kir dhe lumin Gjadër janë nën kuotat e rrezikut për përmbytje. Hidrovoret e Velipojës, Vilunit dhe Cas janë në funksion me nga 5 pompa secili dhe janë në gatishmëri për funksionim me kapacitet të plotë, në rast nevoje. Strukturat përgjegjëse vijojnë monitorimin e situatës në terren dhe janë në gatishmëri për të ndërhyrë në çdo moment.
Në territorin e Bashkisë Vau i Dejës janë regjistruar reshje shiu me intensitet të lartë. Në fshatin Hoten është raportuar një banesë me prezencë uji, ku banorëve u është dhënë ndihma e menjëhershme nga grupi i Emergjencave Civile. Situata po monitorohet në vijimësi nga strukturat përkatëse.
Në territorin e Bashkisë Malësi e Madhe kanë vijuar reshjet e shiut me intensitet mesatar gjatë gjithë natës dhe në orët në vijim. Fshati Flakë vijon të jetë i bllokuar si pasojë e prurjeve të përroit. Në zonat Rrazë dhe Veshtë është konstatuar prezencë uji por pa rrezik për banesat. Po punohet për furnizimin me energji elektrike në zonën e Kelmendit. Gjithashtu po punohet për hapjen e kalueshmërisë së rrugës pranë lumit në zonën e Dragovojës.
Në territorin e Bashkisë Fushë-Arrëz janë evidentuar shkarje dherash dhe rënie gurësh në disa rrugë autorurale. Deri në këto momente nuk raportohen dëme në njerëz apo banesa.
Në territorin e bashkisë Shkodër, janë regjistruar reshje shiu me intensitet të lartë. Grupi i Emergjencave Civile po kryejnë inspektime në terren dhe janë në monitorim të afërt të çdo situate emergjente.
Situata hidrike paraqitet si me poshte:
Në Kaskadën e Drinit, prurjet aktuale natyrore arrijnë vlerën 3500 m³/s, duke reflektuar një situatë hidrike të qëndrueshme. Nivelet e liqeneve paraqiten si më poshtë:
Fierza: 281.2 m
Koman: 174.2 m
Vau i Dejës: 75 m
Shkarkimet aktuale nga hidrocentralet janë të kontrolluara dhe të qëndrueshme: HEC Vau i Dejës 700 m³/s dhe HEC Koman 700 m³/s. Deri më tani nuk raportohen problematika.
Prefekti i Qarkut Shkodër, vijon ndjekjen nga afër të situatës në koordinimin me të gjitha strukturat vendore e qendrore për menaxhimin e emergjencave. /K.M
