Të kesh etikë të mirë në komunikim do të thotë të flasësh me sinqeritet, por edhe të dish të dëgjosh dhe të përpiqesh të kuptosh personin përballë. Njerëzit që e kanë këtë aftësi janë të kujdesshëm jo vetëm me atë që thonë, por edhe me mënyrën se si e thonë.
Kjo nuk është diçka që mësohet gjithmonë që në fëmijëri. Shpesh e kuptojmë me kalimin e kohës se disa shprehje, edhe pse duken të zakonshme, mund ta bëjnë tjetrin të ndihet i pavlerësuar, i gjykuar ose i padëgjuar.
1. “Je shumë i/e ndjeshëm”
Njerëzit me etikë të lartë në komunikim nuk i përdorin ndjenjat e të tjerëve kundër tyre. Mund të mos jenë dakord me mënyrën se si dikush e ka përjetuar një situatë, por kjo nuk do të thotë t’i thonë se ndjenjat e tij janë të gabuara.
Të pranosh atë që ndien një person nuk do të thotë se je dakord me të. Do të thotë thjesht se po e dëgjon dhe po përpiqesh të kuptosh këndvështrimin e tij.
Kur i thua dikujt “je shumë i ndjeshëm”, në vend që të tregosh mirëkuptim, rrezikon t’i japësh mesazhin se nuk duhet t’u besojë ndjenjave të veta. Shpesh, kjo vjen më shumë nga parehatia e personit që dëgjon sesa nga ndonjë problem real me mënyrën se si tjetri po reagon.
2. “Thjesht po tregohem i sinqertë”
Sinqeriteti është i rëndësishëm, sidomos në marrëdhëniet e afërta. Por të jesh i sinqertë nuk do të thotë të jesh i ashpër pa arsye.
Nëse një mik ka bërë diçka me të cilën nuk je dakord, mund t’ia thuash mendimin tënd pa e bërë të ndihet keq me veten. Në një miqësi të shëndetshme, sinqeriteti dhe përgjegjësia kanë vend, por edhe mënyra se si shprehen ka rëndësi.
Nuk është e nevojshme ta lëndosh dikë vetëm për t’i treguar se po thua “të vërtetën”. Mund të jesh i drejtpërdrejtë dhe njëkohësisht i kujdesshëm.
3. “Qetësohu”
T’i thuash dikujt “qetësohu” zakonisht nuk e qetëson situatën. Përkundrazi, mund ta bëjë personin të ndihet sikur emocionet e tij po kontrollohen ose po zhvlerësohen.
Njerëzit që komunikojnë me kujdes përpiqen të trajtojnë problemin, jo t’i tregojnë tjetrit se si duhet të ndihet. Në vend të një urdhri të tillë, mund të propozojnë të ndalojnë për pak, të marrin frymë dhe ta shohin situatën nga një këndvështrim tjetër.
Kështu, mesazhi mbetet i njëjtë, por pa e bërë tjetrin të ndihet i sulmuar.
4. “Zakonisht kam të drejtë”
Është një gjë të mendosh se mund të kesh të drejtë dhe krejt tjetër ta deklarosh vazhdimisht këtë për veten.
Njerëzit me etikë të lartë në komunikim e pranojnë se mund të gabojnë. Edhe kur janë shumë të bindur për këndvështrimin e tyre, përpiqen të marrin parasysh edhe anët e tjera të një situate.
Kjo nuk do të thotë se duhet të biesh dakord me dikë vetëm për të shmangur një debat. Mund të mendosh se ke të drejtë dhe njëkohësisht të zgjedhësh të mos e kthesh çdo bisedë në një garë për të përcaktuar se kush ka të drejtë.
5. “Nuk është problemi im”
Ndonjëherë një mik vjen te ne me një problem dhe nuk dimë si ta ndihmojmë. Në raste të tjera, çështja nuk ka të bëjë fare me ne. Por kjo nuk do të thotë se duhet t’i shpërfillim ndjenjat e tij.
Edhe kur duhet të vendosësh një kufi, mund ta bësh pa e bërë tjetrin të ndihet budalla që kërkoi ndihmë. Për shembull, në vend të një përgjigjeje të ftohtë, mund të thuash se do të doje ta ndihmoje, por nuk je i sigurt se çfarë mund të bësh.
Të vendosësh kufij nuk do të thotë të jesh i pandjeshëm. Ka një ndryshim të madh mes mbrojtjes së hapësirës tënde dhe zhvlerësimit të problemit të dikujt tjetër.
6. “Ta thashë një herë”
Të harrosh diçka që dikush të ka thënë është njerëzore. Ndonjëherë nuk kemi qenë duke dëgjuar me vëmendje të plotë, mund të kemi pasur shumë gjëra në mendje ose mesazhi thjesht nuk është përcjellë aq qartë sa mendonte personi që po fliste.
Njerëzit me etikë të lartë në komunikim nuk e përdorin harresën e tjetrit për ta turpëruar. Ata përpiqen të kuptojnë se në çfarë gjendjeje është personi përballë dhe, kur është e nevojshme, e përsërisin atë që kanë thënë pa e bërë tjetrin të ndihet fajtor./mxh
