Last Updated on 18/11/2025 by EL
Tim Berners-Lee shpiku uebin [World Wide Web] – por, nuk kërkoi kurrë para për të.
“Ishte vërtet e rëndësishme që uebi të ishte i lirë për këdo”, thotë Tim për shpikjen e tij.
Ai bindi punëdhënësin e tij, CERN-in – qendrën evropiane të kërkimeve me seli në Zvicër – që të mos vendoste kurrë pagesë për përdorimin e uebit. Kjo do të thoshte se Timi nuk është aq i famshëm dhe as afërsisht aq i pasur sa bashkëkohësit e tij, si Steve Jobs dhe Bill Gates, të cilët, për çudi, të gjithë kanë lindur në të njëjtin vit: 1955.
Në fakt, “të qenit i famshëm duhet të jetë një dhimbje e madhe koke”, thotë Timi.
Pra, çfarë e frymëzoi atë të krijonte shpikjen e tij – dhe të mos dëshironte kurrë as famë e as para?
Një pjesë e përgjigjes mund të gjendet në mënyrën se si është rritur.
Nëna dhe babai i tij u njohën teksa punonin për ndërtimin e kompjuterit të parë komercial në Mbretërinë e Bashkuar, Ferranti Mark 1, dhe i edukuan fëmijët e tyre që të kuptonin logjikën dhe zgjidhjen e problemeve. Babai i Timit madje ndërtoi në shtëpi një model kompjuteri që funksiononte me rryma uji.
“Ai e bëri atë, sepse në atë mënyrë mund të shihje që kompjuteri është thjesht logjikë. Është vetëm – nëse del kjo, pastaj del tjetra”, thotë Timi.
Prindërit ia dhanë atij lirinë për të eksperimentuar. Dhe, pushimet familjare me kamping ia dhanë një ndjenjë të fortë të vetëmjaftueshmërisë. Nëna e Timit shkonte në kishë dhe ishte forcë drejtuese në familje.
“[Ata ishin] racionalë, por po, njëra ishte mjaft besimtare, dhe gjithashtu shumë shkencore. Dhe, ishin shumë krijues dhe me imagjinatë”, thotë Timi kur kujton prindërit e tij.
Timi ishte një djalë i turpshëm.
“Ndërsa rritesha, nuk pata kurrë të dashur gjatë shkollës së mesme. Nuk shkoja në festa apo mbrëmje vallëzimi. Kështu që, mendoj se energjia shkonte te matematika, fizika dhe elektronika”.
Kur filloi punën në CERN, e vetmja mënyrë për të mësuar se me çfarë merreshin kolegët e tij ishte të pinte kafe me ta. Atëherë kuptoi se duhej një mënyrë që sistemet e ndryshme kompjuterike të mund të komunikonin me njëri-tjetrin.
Ishte një hap i madh imagjinate nga ana e tij.
“Ideja që mund të klikosh dhe të shkosh diku – kudo – në botë … njerëzit thjesht nuk mund ta përfytyronin”.
Kur e lansoi World Wide Web-in në vitin 1990, askush nuk e dinte se çfarë suksesi do të bëhej. Frymëzuar nga vlerat e prindërve të tij, Timi ishte i vendosur që të ishte i lirë – dhe një forcë për të mirën.
Por, në vitet e fundit ai ka filluar të shqetësohet për mënyrën se si algoritmet shpërblejnë njerëzit që qëndrojnë në platforma – edhe nëse kjo ndodh duke i zemëruar ata.
“Nëse është trajnuar për të polarizuar njerëzit, atëherë nuk është teknologji neutrale. Është teknologji që po e bën botën një vend më të keq”, thotë ai.
Tani po punon për atë që ai e quan teknologji “pro-njeri”, ku njerëzit kanë kontroll mbi të dhënat e tyre dhe përfitimi nuk është qëllimi përfundimtar.
Bota të cilën Timi krijoi ka ndryshuar përtej edhe imagjinatës së tij. Por, ka gjëra që mungojnë nga bota e vjetër – si takimet e rastësishme për një kafe.
“Fakti që … nëse doje të takoje dikë, duhej të shkoje në shtëpinë e një shoku për ta takuar”.
Mund të ketë më pak takime të rastësishme, por Timi e vlerëson mundësinë për të shëtitur nëpër parqet e Londrës pa u njohur. Ai mund të mos jetë miliarder – por, kjo është pikërisht siç i pëlqen atij./e.t
