Politikani populist 30-vjeçar do të kandidojë nëse Marine Le Pen nuk lejohet të garojë. Kush është ai, shkruan The Economist
Rruga Gabriel Péri në Saint-Denis është karakteristike për një periferi veriore të Parisit. Koka qengjash të rrjepura janë vendosur në vitrinën e kasapit; bluza në një shportë metalike shiten për 2 euro (2.30 dollarë) në një dyqan me ulje; shitës ambulantë shesin cigare kontrabandë në trotuar.
Pikërisht këtu, në një bllok banesash 8-katesh në një kompleks banesash në Saint-Denis, periferinë më të populluar dhe një nga më të varfrat e Parisit, u rrit Jordan Bardella. Rrugëtimi i 30-vjeçarit nga një adoleshent i ndrojtur, me fytyrë të zbehtë, në krye të së djathtës populiste National Rally (RN) është i jashtëzakonshëm.
Më 7 korrik, ai mund të marrë një kthesë tjetër: Marine Le Pen, mentorja e tij, do të mësojë nëse gjykata e apelit do të lërë në fuqi ndalimin e saj për të kandiduar për poste publike, për keqpërdorim të fondeve europiane. Nëse kjo ndodh, prillin e ardhshëm z. Bardella do të jetë kandidati i RN-së për presidencën franceze.
“Nuk isha në asnjë mënyrë i destinuar të përfundoja aty ku jam sot”, reflekton z. Bardella teksa pi kafe në Parlamentin Europian, ku është deputet i RN-së. Mendimi se kjo mund t’i kishte shkuar në mendje në adoleshencë, thotë ai, është “i pamundur”.
Sipas vetë rrëfimit të tij, në atë moshë ishte “shumë i ndrojtur” dhe kalonte orë të tëra në dhomën e tij duke luajtur “Call of Duty” ose “FIFA”. Ai nuk ndoqi asnjë nga shkollat që përgatisin elitën franceze dhe e la universitetin.
Në rrethet parisiene, mes bashkëmoshatarëve me emra si Charles apo Arthur, z. Bardella “tallej”, thotë ai, për shkak të emrit të tij të klasës punëtore: “Mund të jem rritur dhjetë minuta larg kufirit të Parisit, por ishte një botë tjetër.”
Ngjitja e z. Bardella në hierarkinë e RN-së ka qenë graduale: ai u bë anëtar i partisë në moshën 16-vjeçare, aktivist lokal në 18 vjeç, kryesues i listës së partisë në zgjedhjet për Parlamentin Europian në moshën 23-vjeçare dhe u zgjodh president i RN-së në moshën 27-vjeçare. Ishte Marine Le Pen – vajza e bashkëthemeluesit të partisë, Jean-Marie Le Pen – ajo që e mori nën kujdesin e saj dhe e promovoi në moshë jashtëzakonisht të re.
Sot, z. Bardella është një personazh i njohur publik; ai madje është në një lidhje me një princeshë italiane të ish-familjes mbretërore Bourbon-Two Sicilies. Sondazhet tregojnë se, nëse ai do të jetë kandidati – siç kanë rënë dakord dy drejtuesit në rast se ndalimi i znj. Le Pen mbetet në fuqi – ai do të kryesonte raundin e parë të votimit me një diferencë të madhe dhe, ndoshta, mund të fitonte edhe balotazhin.
Në disa aspekte, arsyeja e tërheqjes që ushtron z. Bardella për partinë është e qartë. Ai është fytyra e moderuar e një partie që dikur ishte e izoluar për shkak të antisemitizmit dhe që sot përpiqet të fitojë legjitimitet politik. Mbi të gjitha, ai nuk mban mbiemrin Le Pen; po aq e rëndësishme është edhe origjina e tij nga departamenti 93 (Seine-Saint-Denis), zona më e varfër e Francës.
Ai është një komunikues i aftë, që i shoqëron fjalitë me buzëqeshje dhe përgatit çdo dalje publike “me shumë, shumë, shumë metodë”, thotë Alexandre Loubet, mik i tij dhe deputet i RN-së. Me më shumë se 2 milionë ndjekës në TikTok, z. Bardella është po aq popullor mes adoleshentëve sa edhe mes pensionistëve.
Që kur mori drejtimin e partisë, z. Bardella ka shpalosur vizionin e tij: një nacionalizëm i ngjashëm me MAGA, kundër emigracionit, skeptik ndaj politikave të gjelbra dhe kundër kulturës “woke” (që promovon diversitetin, përfshirjen dhe të drejtat e pakicave), i bazuar te parimi “Franca e para”.
Diplomatët europianë që e kanë takuar janë lehtësuar nga fakti se ai e konsideron Rusinë “një kërcënim shumëdimensional” dhe se do t’i mbante forcat e armatosura franceze në operacionet e NATO-s.
Megjithatë, ai kundërshton me vendosmëri anëtarësimin e Ukrainës në BE dhe synon, në afat më të gjatë, ta tërheqë Francën nga komanda e integruar ushtarake e NATO-s. Zyrtarët gjermanë janë ndier disi të qetësuar nga sinjalet e tij të fundit për bashkëpunim me Berlinin, veçanërisht në çështjen e migracionit.
Ambicia e z. Bardella për ta shndërruar BE-në në një “bashkim kombesh” përfshin politika, si kërkesa për ulje të ndjeshme të kontributit të Francës në buxhetin e përbashkët, që do ta çonin Parisin në një përplasje të drejtpërdrejtë me Gjermaninë. Franca mund t’u bashkohej vendeve që bllokojnë projektet e Bashkimit Europian.
Z. Bardella e përshkruan marrëdhënien e tij me znj. Le Pen si “shumë të afërt”. Ai ende i drejtohet asaj me respekt me formën formale “vous”, ndërsa ajo i drejtohet atij me formën informale “tu”. Megjithatë, ai deklaron:
“Nuk është një marrëdhënie kujdestarie.” Ai ka nisur të shfaqë edhe nuanca të ndryshme qëndrimi. Znj. Le Pen kërkon uljen e moshës së pensionit; ai është më pak i sigurt. Ajo përkrah një shtet me prirje të majta, që gjen mbështetje në brezin industrial të verilindjes së Francës; ai kërkon të fitojë edhe votuesit borgjezë të së djathtës dhe u është afruar drejtuesve të biznesit me një mesazh pro sipërmarrjes.
Çfarë beson realisht ky “pragmatist” i vetëshpallur, nëse beson diçka? Ai është i përgatitur mirë për çështje që nga politika fiskale deri te energjia. Tingëllon më i gjallë kur denoncon atë që e sheh si marrëveshje të padrejtë të Francës në një Europë të dominuar nga Gjermania.
Por ajo që e ndez vërtet është emigracioni. “Kontinenti ynë nuk do të jetë më kontinenti i europianëve nëse nuk i japim fund vërshimit të migracionit”, u tha ai së fundmi miqve nacionalistë në Poloni. Z. Bardella kërkon t’i japë fund shtetësisë së fituar automatikisht nga lindja dhe të shkurtojë përfitimet për emigrantët.
Në qershor, ai u përball me kritika pasi lidhi dhunën në rrugë mes tifozëve, pas fitores së PSG-së, klubit dominues të futbollit të kryeqytetit, në Champions League, me “paaftësinë e Francës për të kontrolluar emigracionin”.
Pas këtij nativizmi (një ideologji politike që mbron interesat e banorëve vendas dhe kundërshton emigracionin) duket se qëndron një lloj intolerance ndaj atyre që nuk sillen si prindërit e tij.
Nëna e z. Bardella, Luisa, ka lindur në Torino; edhe babai italian i të atit – i cili u martua me një francezo-algjeriane – emigroi në vitet 1960. Ky ishte një brez që “bëri gjithçka për t’u bërë francez, për të mësuar gjuhën, për të respektuar vendin që i priti”, një përpjekje që, sipas tij, “nuk kërkohet më” sot.
Z. Bardella e përshkruan Saint-Denis, ku ende jeton e ëma, si një vend të “trafikut të drogës, krimit, mjerimit dhe humbjes së vlerave dhe identitetit tonë”. Historia e tij personale, ndonëse bindëse, anashkalon disa hollësi të papërshtatshme.
I ati, i cili u divorcua nga e ëma kur z. Bardella ishte shumë i vogël, drejtonte një biznes të vogël shpërndarjeje pijesh dhe i bleu të birit adoleshent një makinë; djali nga blloku i banesave u largua herët nga sistemi publik dhe u dërgua në një shkollë katolike në Saint-Denis. Por kjo histori funksionon mirë në politikën populiste. Ai thotë se dëshiron të sigurojë që “vendi të mos i ngjajë lagjes ku jam rritur”.
Sot, z. Bardella kalon më shumë kohë në sallat e bordeve dhe ambasadat e Parisit – ose në Çmimin e Madh të Monakos, ku u pa në tribunën VIP me shoqëruesen e tij të re – sesa në rrugët e Saint-Denis. Afrimi i tij me elitën mbart një rrezik: humbjen e besueshmërisë te baza anti-establishment.
Kévin Pfeffer, deputet i RN-së dhe mik i tij, argumenton se romanca e tij si në përrallë “i bën të gjithë të ëndërrojnë”. Në të vërtetë, ai nuk do të ishte populisti i parë që bën një jetë elite.
Por francezët revolucionarë mund të jenë më pak falës se shumica. Dhe z. Bardella, i cili e kontrollon me kujdes imazhin e tij – ai i palos këmishët e bardha, të hekurosura dhe thuajse identike, rreth letrave mbajtëse brenda valixhes – duhet ta dijë këtë.
Kur të shpallet vendimi, do të ketë tensione. Nëse gjykata ia shkurton dënimin znj. Le Pen dhe i mundëson të kandidojë vitin e ardhshëm, kjo do ta kthente z. Bardella sërish në hijen e saj. Nëse ndalimi mbetet në fuqi, ajo do t’ia dorëzojë biznesin familjar – tetë fushata presidenciale mes babait dhe vajzës – një të jashtmi, edhe pse të përzgjedhur prej saj.
A e mban zgjuar natën kjo perspektivë z. Bardella? “Nëse do ta shmangia pyetjen tuaj, ju do të arrinit në përfundimin se po gënjeja; nëse do t’ju thosha se jam i shqetësuar, kjo do të rrezikonte t’ju shqetësonte ju. E vërteta, pa dyshim, është diku në mes.”/ad
