Sezoni i ri politik nis me një mbledhje të kabinetit qeveritar në Pogradec. Kryeministri Edi Rama ka thirrur ministrat në një takim dyditor, ku pritet të diskutohet performanca e qeverisë dhe hapat që do të ndërmerren gjatë periudhës së ardhshme.
Në fokus të diskutimeve do të jetë puna e kryer gjatë muajve të fundit, por edhe objektivat që çdo ministri duhet të përmbushë në vitin e dytë të mandatit të katërt.
Takimi zhvillohet në një format të përdorur më herët nga Rama pas pushimeve verore, për të vendosur në tavolinë prioritetet e qeverisë për sezonin e ri.
Një tjetër zhvillim që pritet me interes është mbledhja e Asamblesë së Partisë Socialiste që pritet të mbahet në fillim të shtatorit. Asambleja mund të shërbejë si një tjetër moment i rëndësishëm për përcaktimin e linjës politike të socialistëve dhe, sipas praktikës së mëparshme, nuk përjashtohet mundësia e diskutimeve për ndryshime në kabinet.
Rikthimi në aktivitet politik vjen pas një periudhe të tensionuar, gjatë së cilës vendi është përballur me protesta të njëpasnjëshme dhe presion politik ndaj qeverisë.
Tashmë vëmendja është përqendruar te vendimet që do të dalin nga takimi i Pogradecit dhe te mesazhet që Rama do të përcjellë në nisje të sezonit të ri politik./kb
