North West, vajza e Kim Kardashian dhe Kanye West, ka tërhequr sërish vëmendjen e publikut me paraqitjen e saj. Edhe pse vetëm 13 vjeçe, adoleshentja duket se po krijon gjithnjë e më shumë identitetin e saj në modë dhe muzikë.
Ajo u shfaq në ComplexCon në Los Angeles me një look tërësisht të ndryshëm: flokët blu, grila metalike në dhëmbë dhe një piercing të përkohshëm në fytyrë i dhanë pamjes së saj një stil të fortë, me nuanca punk.
North pozoi edhe pranë Bianca Censorit, bashkëshortes së babait të saj, ndërsa në festival ishte i pranishëm edhe Kanye West.
Paraqitja e saj vjen në një periudhë kur North po bëhet gjithnjë e më aktive në botën e showbiz-it. Adoleshentja ka shfaqur prej kohësh interes për muzikën dhe modën dhe këtë vit ka hedhur një tjetër hap në karrierën artistike, duke publikuar projektin e saj të parë muzikor dhe duke u shfaqur në kopertinën e revistës Dazed.
Stili i guximshëm nuk është diçka e re për North. Në daljet dhe projektet e saj të mëparshme ajo ka eksperimentuar me aksesorë të pazakontë, piercing-e të përkohshme dhe elementë të frymëzuar nga estetika punk.
Në një prej videoklipeve të saj, North bashkëpunoi me Lil Novi, djalin e reperit Lil Wayne, ku u shfaq sërish me flokë blu dhe grila metalike, duke forcuar imazhin e saj të veçantë artistik.
Ndërkohë, Kim Kardashian ka treguar se përpiqet të mos lejojë që angazhimet publike të vajzës së saj të shtohen pa masë. Sipas saj, North ka shumë dëshirë të merret me muzikë dhe të jetë para kamerave, ndaj ajo dhe Kanye po përpiqen të gjejnë një ekuilibër dhe të marrin vendime së bashku për projektet e saj.
Megjithatë, me çdo dalje të re, North duket se po ndërton gradualisht stilin dhe identitetin e saj, duke dëshmuar se nuk ka frikë të eksperimentojë./MXH
