Last Updated on 28/10/2026 by Monika
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Nikola Kedhi është shprehur se qeveria Rama po rrit taksat në kurriz të qytetarëve për të siguruar më shumë të ardhura në buxhetin e shtetit. Kjo situatë rëndon dhe më shumë xhepat e qytetarëve, po të shikojmë dhe gjendjen aktuale ekonomike të vendit.
Kedhi ka deklaruar se vendin e pret një varfëri më e skajshme dhe përjashtim nga radhët sociale të personave me më shumë nevoja dhe në gjendje të rënduar.
Ai kritikoi ashpër modelin ekonomik që qeveria e Ramës po përpiqet të krijojë në disfavor të qytetarëve dhe në favor të oligarkëve. Ky sistem ka për të degraduar dhe do të pengojë mjaft konkurrueshmërinë në tregun e lirë të bizneseve.
“Po merr nga xhepat e qytetarëve, të cilët janë sot në një gjendje shumë të vështirë ekonomike. Ata e ndjejnë vetë, por mund të citojmë gjithë këto organizata kombëtare, institucione kombëtare, që thonë se 20 për qind janë në varfëri. 41 për qind janë në kushtet e përjashtimit social, që përballojnë vetëm gjërat më minimale për të mbijetuar, se nuk është as jetesë.
Këtu nuk ka treg të lirë, nuk ka konkurrencë dhe të gjitha pasojat që ne i shikojmë sot janë si rrjedhojë e këtij fakti, që këtu ne kemi oligopole, këtu kemi një oligarki që kontrollon shumicën e sektorëve, të gjithë të varur nga kryeministri, dhe nuk ka një konkurrencë të lirë mes kompanive të ndryshme.
Nëse do të kishte konkurrencë, do të kishim rritje të pagave, do të shkonim drejt uljes së çmimeve, do të rritej fuqia blerëse.
Është cinike edhe kjo që thotë se do të ulë TVSH-në e disa produkteve bazë, ndërkohë që rrit taksat e tjera.
Është si të thuash: “Do të ul TVSH-në mbi bukën”, dhe ndërkohë po e bombardon me taksa atë që po nxjerr taksa, atë që prodhon bukën. E nxjerr fare, e falimenton dhe pastaj thotë që mbi këtë bukën që ky do të prodhojë, do të ulë TVSH-në”, – tha Kedhi./mxh
