Laura Pausini ka rrëfyer ka rrëfyer për një nga periudhat më të vështira të jetës së saj, kur gjatë pandemisë së Covid-it kishte menduar të hiqte dorë nga muzika.
Ajo pohoi për podcastin “Supernova” të Alessandro Cattelan se karriera e saj po përjetonte një moment të jashtëzakonshëm, pasi ishte nominuar për Golden Globe dhe Oscar, por suksesi i saj përkoi me një periudhë të vështirë për njerëzit që kishte pranë.
Shumë miq të saj po humbnin familjarë nga Covid-i ose po përballeshin me vështirësi ekonomike, gjë që i shkaktoi këngëtares një ndjenjë të fortë faji.
“Shumë miq të mi humbnin miq ose prindër nga Covid-i, ndërsa unë nominohesha për Oscar dhe Golden Globe. E kisha humbur shumë dëshirën dhe kisha vendosur që nuk doja të këndoja më”, rrëfeu ajo.
Për të kaluar atë periudhë, Pausini iu rikthye muzikës së fëmijërisë dhe artistëve që kishte dëgjuar në vitet e para të jetës.
Këngëtarja foli gjithashtu për marrëdhënien e saj me astrologjinë dhe bestytnitë. Një nga historitë më të veçanta lidhet me gjyshin e saj, i cili vdiq më 9 janar.
Ai ishte personi i parë i afërt që Pausini humbi dhe ishte përmes kësaj përvoje që ajo kuptoi për herë të parë çfarë do të thoshte mungesa fizike e një njeriu të dashur. Që nga ai moment, ajo nisi ta konsideronte numrin 9 si një numër ters për veten dhe për familjen e saj.
Për këtë arsye, Pausini nuk njofton kurrë një turne, nuk publikon një këngë të re apo një album në një datë që përmban numrin 9, pra më 9, 19 ose 29. Madje, më 9 shtator (09/09) ajo nuk punon fare dhe preferon të qëndrojë në shtëpi.
Por kjo nuk është e vetmja bestytni që ndikon në zgjedhjet e saj. Pausini tregoi gjithashtu se ka një mosbesim të veçantë ndaj personave të shenjës së Binjakëve. Madje, kjo bindje ka ndikuar edhe në përzgjedhjen e bashkëpunëtorëve të rinj: kur shqyrtonte CV-të, shmangte ato të personave të lindur nën këtë shenjë./mxh
