Temperaturat e larta që kanë përfshirë Evropën Perëndimore kanë shtyrë mijëra banorë dhe turistë në Portugali t’i drejtohen bregdetit për t’u freskuar nga vala e të nxehtit.
Plazhet pranë kryeqytetit Lisbonë u mbushën me vizitorë gjatë së martës, ndërsa vendi po përjeton ditë të pazakonta të nxehta që në fund të muajit maj.
Instituti Portugez i Detit dhe Atmosferës parashikon që temperaturat të arrijnë deri në 36 gradë Celsius gjatë ditëve të martë dhe të mërkurë.
Vala e të nxehtit nuk po prek vetëm Portugalinë. Temperaturat ekstreme janë regjistruar në disa vende të Evropës Perëndimore, përfshirë edhe Britaninë e Madhe, ku të hënën u shënua dita më e nxehtë e muajit maj në historinë e vendit, me temperatura që arritën në 33.5 gradë Celsius.
Meteorologët paralajmërojnë se temperaturat e larta pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, duke rritur shqetësimet për ndikimin e tyre në shëndetin publik dhe mjedisin./mxh
