Last Updated on 10/07/2025 by adminfjala
Nga Alexander Hurst*
Gjelbërimi, hija dhe pishinat nuk do ta zgjidhin krizën klimatike – por po bëhen gjithnjë e më jetike.
Tre vite më parë, kur isha për herë të parë në Zyrih, kalova mbi një urë mbi lumin Limmat dhe pashë njerëz që lundronin me goma të fryra në rrjedhë të lumit, duke u kthyer në shtëpi nga puna – disa mbanin edhe birra në dorë. Limmati është aq i pastër, sa të josh jo vetëm të hidheshe në të, por edhe të pije prej tij.
Kanali Saint-Martin në Paris nuk më ka ngjallur kurrë ndjenja të tilla – por teksa javën e kaluar temperatura arriti 38°C, doja të mbyllja sytë, të imagjinoja se isha në Limmat… dhe të hidhesha. Të tjerët nuk ngurronin: ishte një radhë njerëzish që hipnin mbi një nga urat e këmbësorëve për të bërë kërcime, zhytje, apo për t’u hedhur me bark në ujë.
Teksa kriza klimatike po na shfaqet gjithnjë e më hapur me pasoja të drejtpërdrejta, qytetet gjatë valëve të të nxehtit po shndërrohen në një lloj “pike zero”. Nuk është sekret që Parisi ka pak hapësira të gjelbra dhe pemë – renditet i fundit në indeksin “Green View” të MIT. Javën e kaluar, në veçanti, ndjeva mall për gjelbërimin e Parc Montsouris, dhe për burimin e tij të ujit me gaz, publik e falas (një nga 17 të tillë në gjithë qytetin).
Kur trotuaret digjen dhe djersa rrjedh, si mund të krijojmë më shumë gjelbërim dhe rrugë të tolerueshme në një qytet të dendur e të nxehtë, ku shumë banesa nuk janë aspak të përshtatshme për verat gjithnjë e më përvëluese?
Një Paris që ngjyroset me të gjelbër
Përgjigjja duket të jetë: shfrytëzo çdo hapësirë, sado e vogël, për bimësi dhe qetësim trafiku. Një mur i gjelbër pranë metrosë Sentier; shkurre, lule dhe barishte në vend të parkimeve në Rue de Sully; rrugë të shndërruara në zona këmbësorësh si Rue Charles Moureu në rrethin e 13-të – dhe dhjetëra të tjera që do të vijnë.
Para bashkisë së Parisit po rritet një “pyll urban”, i treti i këtij lloji në kryeqytet, pas mbjelljes së 470 pemëve që zëvendësuan një shesh me beton të përvëluar në Place de Catalogne dhe transformimit të shinat e vjetra të trenit në lagjen e 20-të.
Të dielën, kryebashkiakja Anne Hidalgo inauguroi premtimin e saj të famshëm për ta bërë lumin Seine sërish të notueshëm, për herë të parë pas një shekulli. Mund të quhet një lojë politike, por shumë parizianë mezi po presin të hidhen në ujë.
Këto ndryshime të vogla urbane nuk zëvendësojnë veprimet e mëdha politike, por janë të domosdoshme për ta bërë jetën më të përballueshme në qytet, përballë një të ardhmeje gjithnjë e më të nxehtë.
Transformime lokale që bëjnë ndryshimin
Pranë banesës sime po rikonfigurohet një kryqëzim që përfshin edhe një shesh të vogël. Më parë i gjithë terreni ishte asfalt i zi që përthithte nxehtësinë. Tani, gjysma e sipërfaqes është e mbjellë me bimë, dhe asfalti është zëvendësuar me gurë që reflektojnë dritën. Pamja tashmë është më e bukur, dhe me kalimin e kohës, kur bimët të rriten, ky “ishull nxehtësie” do të kthehet në një vend më të freskët dhe të këndshëm.
Strategjia e Hidalgos nuk ka shpëtuar pa kritika, por nga shndërrimi i brigjeve të Senës në rrugë këmbësorësh, tek rritja e korsive të biçikletave, ndryshimi ka qenë i shpejtë dhe i ndjeshëm.
Sipas Luc Berman, nga rrjeti “Le réseau vélo et marche”, numri i udhëtimeve me biçikletë në Paris ka kaluar nga 2% në 12% në 10 vitet e fundit, ndërsa përdorimi i makinës ka rënë nga 12% në vetëm 4%. “Nuk ka qytet tjetër të këtij përmasi që të ketë ndryshuar kaq shpejt,” thotë ai. “Është një shembull i guximit politik në nivel lokal.”
Pas karantinës nga COVID-i, qyteti vendosi barriera konkrete për biçikletat dhe lejoi që restorantet të zgjateshin në rrugë. Masat e përkohshme janë kthyer në infrastrukturë të përhershme, me kërkesë të qëndrueshme nga publiku.
A mjafton?
Edhe me të gjitha këto përpjekje, nxehtësia është gjithnjë sfiduese. Dhoma ime e gjumit nuk merr diell direkt, por gjatë valës së fundit të të nxehtit, të flesh natën ishte sërish e vështirë. Marine Le Pen dhe e djathta ekstreme po përpiqen të kthejnë ajrin e kondicionuar në një flamur elektoral, duke e bërë atë “të detyrueshëm”, ndërkohë që kundërshtojnë zgjidhjet e vërteta për krizën në kuadër të Bashkimit Evropian.
Shtëpitë e kujdesit për të moshuarit, shkollat, metrotë dhe rrjeti energjetik – ndonëse i fuqizuar nga energjia bërthamore – kanë nevojë për ajër të kondicionuar, dhe partitë e tjera do të ishte e pamatur të linin këtë çështje në duart e ekstremit të djathtë. Por në pallatet e vjetra pariziane të shekullit XIX, është e qartë se kondicionerët nuk do të na shpëtojnë të gjithëve.
Kjo është e ardhmja jonë
Për momentin, nxehtësia ekstreme është ende e përkohshme – një javë këtu, një javë atje, me net pa gjumë dhe djersë – por do të përkeqësohet. David Suzuki, zoolog kanadez dhe aktivist për klimën, së fundmi deklaroi: “Është tepër vonë” për ta zgjidhur plotësisht krizën. Duhet të bëjmë gjithçka që mundemi, sa më shpejt që të jetë e mundur, për të ndalur çdo fraksion të ngrohjes së mëtejshme. Por dëmi është bërë, dhe ne po e ndjejmë tashmë.
Gjithçka që qytetet mund të bëjnë, është të përshtaten. Disa do ta bëjnë më mirë se të tjerët. Dhe nëse kjo ju bën të thoni “uf” – mos u shqetësoni, është nxehtësia që flet.
*Alexander Hurst është kolumnist i Guardian për Evropën/ Përgatiti: L.Veizi