Last Updated on 26/03/2026 by Anisa
Policia kriminale e Tiranës ka referuar në Prokurorinë e Tiranës një kallëzim ku kërkohet nisja e ndjekjes penale ndaj një personi që ka kërcënuar me jetë avokaten dhe aktivisten, Adriana Kalaja. Sipas policisë, kërcënimet janë dërguar përmes rrjetit social “Facebook” nga një profil i rremë me emrin “Klaus Bianconeri”.
Ky person i ka dërguar Kalasë disa mesazhe kërcënuese, të cilat janë administruar nga policia dhe ku thuhet:
“…o kukull me fija! Bëj të fala Saliut dhe Sorosit. E di ti kukull me fija qi punon për mua pa vetëdijen tënde? Rama, bosi jot është kukulla ime me fija! Të kanë njoftuar kush jam unë teta? Çoj njerëz me pushime unë! Do të shkosh me pushime ti teta? Do të takosh zotin…?”
Pas marrjes në pyetje të Adriana Kalasë, çështja është përcjellë në Prokurorinë e Tiranës për hetime të mëtejshme. Autoritetet po kërkojnë informacion përmes letërporosisë “Facebook” për të lokalizuar IP-në e personit kërcënues.
Materiali hetimor i referuar nga Policia mban numrin 5137 dhe është administruar që prej 24 shkurtit 2026, por ende nuk është ndarë tek një prokuror për nisjen e praktikës hetimore.
