Last Updated on 26/03/2026 by Anisa
Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka ka reaguar pas kërkesës së SPAK që i kërkon gjykatës që të miratojë pushimin e procedimit ndaj gjyqtares Irena Gjoka.
Në deklaratën e tij, Noka e cilëson këtë zhvillim si një tregues të nënshtrimit të SPAK-ut përballë pushtetit, duke sulmuar drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama.
“Pas tredhjes që Narkosi i bëri #SPAK-ut më 12 mars, a është kjo shenja e nënshtrimit dhe përuljes së këtij institucioni përballë pushtetit? Irena Gjoka Shpata Manelu, me 2 dëbime dhe 1 dënim, me apartamente dhe garazhe të fshehura, me falsifikim të formularit të dekriminalizimit dhe po ashtu falsifikim të formularit të vetingut, i pushohet çështja! Çfarë është kjo? A mos vallë më 12 mars, Edi Rama përcaktoi devizën, se në regjimin e tij nuk do të funksionojnë si SPAK, por vetëm si SKAP?”, shprehet Noka.
Reagimi i tij vjen pasi Prokuroria e Posaçme njoftoi se i kishte kërkuar gjykatës pushimin e hetimit ndaj Gjokës, e kallëzuar për veprën penale të falsifikimit pas pretendimeve se ajo kishte fshehur një dënim penal të dhënë nga drejtësia greke.
Prokuroria e Posaçme nisi hetimet për Gjokën pas një kallëzimi të bërë nga Adriana Kalaja. Paralelisht, Inspektori i Lartë i Drejtësisë (ILD) ka filluar një hetim disiplinor ndaj Gjokës, pasi Këshilli i Lartë Gjyqësor refuzoi të merrte një vendim ndaj saj.
Edhe pse është konfirmuar dënimi nga drejtësia greke ndaj gjyqtares Gjoka për përdorimin e dokumenteve të parregullta për të hyrë në Greqi, SPAK thotë se nuk e ka provuar që asaj i është komunikuar dënimi, ndërkohë që vepra penale është e parashkruar.
Sipas njoftimit të SPAK, dokumentacioni i përcjellë nga autoritetet greke të drejtësisë tregon se gjyqtarja Irena Gjoka, alias Shpata, alias Maneku është dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë Janinë me burgim dhe gjobë, i konvertuar në gjobë.
“Materialet e administruara tregojnë se Irena Gjoka ka qenë subjekt i procedurave administrative dhe gjyqësore në Greqi, pas dy episodeve në kufi, ku është konstatuar përdorimi i dokumenteve të parregullta dhe tentativa për hyrje me të dhëna të ndryshme identifikuese. Si pasojë, ndaj saj janë marrë masa administrative, përfshirë dëbimin dhe ndalimin e hyrjes në zonën Schengen, të cilat janë kundërshtuar prej saj në gjykatat administrative greke,” thuhet në njoftim./A.D
