Last Updated on 15/02/2026 by EL
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka hequr Shqipërinë nga lista e vendeve pa fruth, ku ka qëndruar për shumë vite pas shpërthimit të sëmundjes, kur raportohet se 15 fëmijë janë infektuar me fruth vetëm për vitin 2026.
Instituti i Shëndetit Publik dhe Ministria e Shëndetësisë e mohojnë shpërthimin e fruthit në një kopsht jopublik në Tiranë, të publikuar para dy ditësh. Por ndërkohë, ky lajm është ndërtuar dhe konfirmuar sipas burimeve të sigurta, të cilat pohojnë se në javën e dytë të janarit të vitit 2026, në një kopsht jopublik në Tiranë ka pasur 5–6 fëmijë të infektuar me fruth.
Për më tepër, këtë e përforcon edhe ky komunikim ndërmjet edukatoreve dhe prindërve të një kopshti, të cilëve u kërkohet që fëmijët e pavaksinuar të mos dërgohen në kopsht:
“Të nderuar prindër, kemi marrë informacion se në disa kopshte dhe çerdhe janë evidentuar raste të fruthit. Për arsye parandaluese dhe për mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve, ju lutemi që fëmijët që ende nuk e kanë kryer vaksinimin përkatës të qëndrojnë në shtëpi si masë parandaluese.”
Por që ka raste me fruth e pranon vetë Instituti i Shëndetit Publik. Në këtë intervistë, të realizuar më 31 janar të këtij viti, pra dy javë pasi janë identifikuar rastet me fruth në kopsht.
“Por, duke pasur parasysh që kemi raste pozitive me fruth, normalisht kjo vaksinë duhet të aplikohet në kohë.”
Por kjo lidhet me faktin nëse Ministrisë së Shëndetësisë i janë raportuar apo jo rastet në kopshtin jopublik. Ndoshta Ministria e Shëndetësisë pret që ISHP t’i publikojë në faqen e saj zyrtare, ku publikimet, siç duken, përfshirë edhe buletinin e gripit, i cili arriti pikun në fund të janarit, kanë mbetur në nëntor 2025.
Top Channel raportoi se kontaktoi në telefon drejtoreshën e Institutit të Shëndetit Publik, Dorina Toci, e cila jo vetëm nuk e mohoi lajmin, por tregoi rrugën zyrtare të email-it për të marrë një përgjigje të shpejtë, që ende nuk ka ardhur, sipas televizionit./et
