Organizata Botërore e Shëndetësisë ka deklaruar se rreziku për popullatën nga hantavirusi mbetet shumë i ulët, pas rasteve të fundit të raportuara në Afrikën e Jugut dhe Evropë.
Një stjuardesë holandeze e kompanisë KLM, e cila kishte pasur kontakt me një grua të infektuar që më pas humbi jetën në Johannesburg, ka rezultuar negative pas testimeve laboratorike.
Zëdhënësi i OBSH-së, Christian Lindmeier, tha në një konferencë për mediat në Gjenevë se ky është një zhvillim shumë pozitiv dhe se virusi nuk duket të përhapet lehtësisht nga njeriu te njeriu.
Sipas OBSH-së, edhe persona të tjerë që kanë qenë në kontakt të afërt me të infektuarit nuk kanë shfaqur simptoma ose kanë rezultuar negativë në testime.
Ndërkohë, kompania e kroçerave “Oceanwide” njoftoi se në anijen ku ndodhej një prej rasteve të dyshuara nuk ka persona me simptoma të infeksionit. Anija pritet të mbërrijë në Tenerife të Ishujve Kanarie gjatë fundjavës.
OBSH po përgatit udhëzime për mënyrën e zbarkimit dhe kthimit në shtëpi të pasagjerëve, ndërsa autoritetet britanike të shëndetësisë kanë bërë të ditur se shtetasit britanikë pa simptoma do të vetëizolohen për 45 ditë pas kthimit në vend.
Ekspertët theksojnë se kontakti normal me një person të infektuar nuk konsiderohet i rrezikshëm dhe se rreziku për përhapje në komunitet mbetet minimal./mxh
