Filmi “The Odyssey”, me regji të Christopher Nolan, ka hyrë në historinë e studios Universal Pictures, duke u renditur si prodhimi me të ardhurat më të larta të saj në tregun ndërkombëtar. Me këtë rezultat, ai ka lënë pas edhe rekordin e mbajtur më parë nga filmi “Furious 7”.
Sipas konfirmimit të Universal, të ardhurat e filmit jashtë Shteteve të Bashkuara kanë kaluar këtë javë shifrën e 1.17 miliardë dollarëve.
Suksesi i jashtëzakonshëm është komentuar edhe nga drejtuesit e studios. Veronika Kwan Vandenberg, presidente e shpërndarjes ndërkombëtare të Universal Pictures International, vlerësoi ndikimin global të regjisorit dhe punën e tij në realizimin e kësaj vepre kinematografike.
“Christopher Nolan është në ballë të regjisorëve, popullariteti i të cilëve është vërtet global. Ky rezultat historik është një dëshmi e ambicies së jashtëzakonshme të Chris dhe Emma Thomas, të cilët kanë krijuar një film, shkalla dhe ekzekutimi i të cilit e sjellin në jetë epikën e Homerit”, u shpreh ajo.
Filmi, i frymëzuar nga vepra e famshme e Homerit, rrëfen udhëtimin dhjetëvjeçar të Odiseut drejt atdheut. Për Nolan-in, ky projekt shënon debutimin më të suksesshëm ndërkombëtar të karrierës së tij, pasi kryesoi klasifikimet e arkëtimeve në 77 shtete. Ndërkohë, në 78 tregje, mes tyre Mbretëria e Bashkuar dhe Irlanda, Franca, Gjermania, Italia, Meksika dhe Brazili, ai është kthyer në filmin më të suksesshëm të regjisorit.
“Odisea” renditet aktualisht në vendin e tetë mes filmave hollivudianë me arkëtimet më të larta të të gjitha kohërave. Në Korenë e Jugut, prodhimi ka arritur një tjetër rekord, duke u bërë filmi hollivudian më fitimprurës i shfaqur ndonjëherë në këtë vend dhe i dyti në renditjen e përgjithshme të tregut vendas./mxh
