Last Updated on 28/09/2025 by adminfjala
Kombëtarja shqiptare do të udhëtojë në tetor drejt Serbisë për t’u përballur me këta të fundit në kualifikueset e Kupës së Botës.
Në prag të këtij takimi, Olsi Rama ka dhënë një intervistë në “Ekskluzive” në Top Channel, ku kthehet 11 vite pas në kohë teksa ndodhej në Beograd.
Ai ka treguar se në Serbi shkoi me një mikun e tij dhe përjetoi një atmosferë të tensionuar që në hyrje të stadiumit. Gjatë ndeshjes, Rama tha se tensioni u rrit edhe më shumë, veçanërisht pas tentativës për gol të Mërgim Mavrajt dhe më pas situata eskaloi ku dhe u desh ndërhyrja e forcave të sigurisë.
“Teksa Mavraj provoi të shënonte nga një goditje këndi ne u emocionuam dhe tifozët serb u kthyen duke na sharë. Tifozët u kthyen nga ne duke hedhur monedha e shishe të thyera. Kisha një aparat me vete për fotografi dhe ai u bë “molla e sherrit” pasi më akuzuan që ky ka komanduar dronin. Në momentin pas dronit, u dend policia dhe tek ne u fut dikush me uniformë blu”, tha ai teksa më tej vijoi duke shtuar se me vete kishte edhe pasaportën amerikane, gjë e cila sipas tij mund të ketë ndikuar në mënyrën se si u trajtua. Ndër të tjera, Rama shtoi se kryeministri Edi Rama nuk ishte në dijeni për udhëtimin e tij në Serbi.
“Edi nuk e dinte fare që unë do shkoja në Beograd. Për arsye të imazhit duhej dhe një përgjigje nga ana ime për të thënë që nuk e kam bërë unë këtë gjë (dronin). Unë vetë besoj që pasaporta amerikane ka qenë një faktor për t’i stepur pak ata. Edhe atëherë në Beograd situata nuk ka qenë e qetë pasi ka pasur protesta. Është një ngjarje në jetë që mbahet mend”, shtoi ai. m.p.
