Fondi i investimeve për startup-et i OpenAI dhe Founders Fund, fondi i kapitalit sipërmarrës i lidhur me miliarderin Peter Thiel, janë pjesë e një raundi financimi prej 45 milionë dollarësh për Coherence, një kompani që po zhvillon një implant në tru me synimin për të zbuluar dhe frenuar zhvillimin e tumoreve kancerogjene.
Investimi vjen në një kohë kur implantet e trurit po kalojnë gradualisht nga ideja e fantashkencës drejt aplikimeve reale, ndërsa gjigantët e teknologjisë po mbështesin gjithnjë e më shumë startup-et që zhvillojnë teknologji të avancuara në këtë fushë.
“Me këtë raund financimi, po përgatitemi për provën tonë të parë afatgjatë te njerëzit me glioblastomë, synojmë të marrim nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) statusin e pajisjes novatore dhe po zgjerojmë programin e studimeve paraklinike për kancerin e pankreasit dhe forma të tjera të sëmundjes”, shkruan në një postim në Substack bashkëthemeluesit e Coherence, Ben Woodington dhe Elise Jenkins.
Sipas tyre, kompania synon gjithashtu të zgjerojë ekipin me specialistë nga fusha të ndryshme për të përshpejtuar zhvillimin e teknologjisë. Në raundin e financimit morën pjesë edhe Lux Capital, 8VC, neurokirurgu kryesor dhe hetuesi kryesor i studimeve klinike të Neuralink, si dhe investitorë të tjerë.
Si funksionon implanti që synon të luftojë kancerin?
Coherence u themelua në vitin 2022 nga Ben Woodington dhe Elise Jenkins, me synimin për të ndërthurur neuroshkencën dhe teknologjinë në zhvillimin e trajtimeve të reja kundër kancerit.
Teknologjia kryesore e kompanisë quhet SOMA. Ajo është një implant me përmasa të përafërta me një buton, i projektuar për të monitoruar sinjalet e dobëta elektrike të tumoreve kancerogjene dhe për të emetuar stimuj elektrikë që synojnë të pengojnë zhvillimin e tyre.
Implanti lidhet me një pajisje të jashtme, me madhësinë e një monedhe, që vendoset mbi vesh dhe mund të hiqet. Sistemi plotësohet nga një aplikacion që ofron të dhëna në kohë reale, regjistron simptomat dhe ruan historikun e trajtimit. Aplikimi i parë synon pacientët me glioblastomë, një formë veçanërisht agresive e kancerit të trurit, e cila karakterizohet nga zhvillimi i shpejtë dhe prognoza e pafavorshme.
Ekipi i Coherence ka nisur tashmë testimet paraprake të sigurisë te pacientë që kanë dhënë pëlqimin për pjesëmarrje. Gjatë ndërhyrjeve të tjera kirurgjikale, implanti është vendosur në tru për rreth 30 minuta dhe më pas është hequr. Këto testime synojnë të vlerësojnë sigurinë e pajisjes, por nuk provojnë ende efektivitetin e saj në trajtimin e kancerit.
Nga sinjalet elektrike te inteligjenca artificiale
Teknologjia mbështetet në gjetjet e një studimi të Universitetit Stanford të publikuar në vitin 2019. Studimi evidentoi se indet kancerogjene kanë karakteristika të veçanta elektrike dhe se disa lloje tumoresh të trurit mund të shfrytëzojnë sinjalet elektrike të indeve përreth për të nxitur rritjen e tyre. Studiuesit zbuluan gjithashtu se ndërprerja e këtyre sinjaleve mund të ndihmojë në ngadalësimin e rritjes së tumorit në kushtet e studiuara.
Duke u mbështetur në këto gjetje, Coherence synon të zhvillojë një teknologji që jo vetëm monitoron aktivitetin elektrik të tumorit, por edhe ndërhyn për të ndikuar në zhvillimin e tij. Kompania beson se kjo qasje mund të zgjerohet përtej tumoreve të trurit dhe të përdoret potencialisht edhe në forma të tjera të kancerit, përfshirë atë të pankreasit.
Një rol të rëndësishëm në këtë drejtim pritet të luajë inteligjenca artificiale. Duke analizuar vazhdimisht të dhënat e mbledhura nga pacientët, algoritmet mund të trajnohen për të identifikuar modele që lidhen me zhvillimin e tumoreve dhe për të parashikuar ndryshimet e tyre. Coherence po përdor tashmë të dhënat e mbledhura nga studimet paraklinike te minjtë për të zhvilluar modele që parashikojnë rritjen e tumoreve.
Megjithatë, teknologjia mbetet në fazat e hershme të zhvillimit. Përpara se të përdoret gjerësisht te pacientët, ajo duhet t’u nënshtrohet studimeve klinike për të vërtetuar sigurinë dhe efektivitetin e saj. Financimi i ri synon të ndihmojë kompaninë të kalojë në fazat e ardhshme të testimit dhe zhvillimit. /ad
