Ish-kryetari i Partisë Demokratike në Durrës, Osman Stafa, ka njoftuar këtë të enjte vendimin e tij për të rikandiduar në zgjedhjet e kësaj partie.
Siç bën me dije përmes një postimi në rrjetet sociale, Stafa e konsideron si një mision dhe detyrë të japë kontributin e tij si demokrat, teksa thekson se nuk është larguar nga PD-ja as në ditën e më të keqe.
“Pse vendosa të kandidoj për kryetar i Partisë Demokratike Dega 2 Durrës.
Si një nga themeluesit e PD-së, e ndjej si mision dhe detyrë të jap kontributin tim ndaj një misioni të pakryer. Politika është vizion. Unë jam i qartë mbi rrugëtimin tonë të përbashkët si dhe ku duhet të shkojmë. Politika është kontribut dhe Histori!
Unë kam qenë, jam dhe do të jem pjesë e rrugëtimit të Partisë Demokratike në kohë me diell dhe me shi. Politika dhe sidomos opozitarizmi është sakrificë dhe qendrueshmeri. Unë jam produkt sakrifice në emër të opozitarizmit si mision dhe qëllim.
E fundit, politika është edhe bashkim idesh, vullnetesh dhe qëllimesh. Gjatë kontributit tim politik bashkimi në ide, qëllime dhe sakrificë ka qenë mision i qëndrimit tim politik dhe qytetar.
Opozitarizmi nuk është aventurë! Vota juaj është alternativë dhe pergjegjësi.
Proçesi do zhvillohet më dt 29/ 03/2026 tek Kthesa e Ariut!”,-shkruan Stafa./mxh
