Adhuruesit shqiptarë të serialeve turke kanë një arsye të re për të qenë kuriozë. Burak Özçivit i njohur në rolin e Osmanit, do të rikthehet në ekran me një projekt të ri, serialin “Güneşin Doğduğu Yer”, i cili pritet të nisë transmetimin më 10 shtator në Turqi.
Produksioni i ri i Atv-së, nën firmën e Tims&B, po vijon xhirimet me ritme të shpejta, ndërsa ekipi po punon për ta bërë gati për premierën e shumëpritur.
Burak Özçivit do të interpretojë personazhin Kenan Kozan, ndërsa në kast është edhe aktorja e njohur Sibel Taşçıoğlu, e cila rikthehet në Adana për xhirimet e serialit. Në produksion do të shfaqet gjithashtu Beyza Gümülcineli, në rolin e Leylas.
Sipas informacioneve nga prapaskenat, seriali është planifikuar të transmetohet çdo të enjte mbrëma, ndërsa data e synuar për episodin e parë është 10 shtator.
Një detaj interesant lidhet me skenat e para të historisë. Edhe pse në serial ato zhvillohen në Gjermani, xhirimet e këtyre pjesëve do të realizohen në Ankara. Kjo për shkak të përgatitjeve intensive që po bëhen për premierën.
Me rikthimin e Burak Özçivit dhe një kast të njohur, “Güneşin Doğduğu Yer” pritet të jetë një nga produksionet e reja turke që do të tërheqë vëmendjen edhe të publikut shqiptar, i cili prej vitesh ndjek me interes serialet turke./mxh
