Një ekspozitë kolektive në San Juan të Porto Rikos sjell veprat e 32 artistëve, të frymëzuar nga ndikimi kulturor dhe shoqëror i yllit të muzikës, Bad Bunny.
Ekspozita “Benito 100 x 35”, e çelur më 20 gusht në galerinë i AM art, përfshin karriget ikonike të shfaqura në kopertinën e albumit të reperit dhe këngëtarit, Debí tirar más fotos, si edhe piktura, skulptura dhe holograme që paraqesin Bad Bunny-n apo elemente të kulturës portorikane.
Ekspozita është konceptuar dhe kuruar nga Ángel Matié, themeluesi i galerisë i AM art, i cili synon të shqyrtojë rëndësinë që ka marrë Benito Antonio Martínez Ocasio, i njohur botërisht si Bad Bunny, në kulturën e Porto Rikos, si dhe mënyrat e shumta se si imazhi i tij mund të interpretohet përmes artit bashkëkohor.
Në një deklaratë për EFE, themeluesi i galerisë tha se vendosi të krijonte ekspozitën për t’i bërë homazh artistit, pasi mbeti i impresionuar nga një prej koncerteve që Bad Bunny dha verën e kaluar në Coliseo de Puerto Rico.
Secili artist kontribuon me gjuhën dhe ndjeshmërinë e tij artistike për të eksploruar mënyrën se si këngëtari ka çuar kodet kulturore të Porto Rikos te një audiencë e madhe në Shtetet e Bashkuara dhe në mbarë botën.
“Përmes pikturës, skulpturës, fotografisë dhe formave të tjera artistike, secili artist sjell interpretimin e tij personal mbi mënyrën se si muzika dhe imazhi i tij kanë riformësuar identitetin e Porto Rikos në botë”, thuhet në një postim në llogarinë e galerisë në Instagram.
Titulli i ekspozitës i referohet përmasave të Porto Rikos, rreth 100 milje gjatësi dhe 35 milje gjerësi, një territor prej të cilit është ngritur një zë me ndikim global.
Në postimin e saj, galeria i AM art shkruan se më shumë se 30 artistë janë bashkuar për të dokumentuar, përmes arteve pamore, një moment që tashmë është bërë pjesë e historisë kulturore të vendit.
“Nuk bëhet fjalë për një simbol, por për atë që ky simbol zgjoi brenda nesh si popull: mundësinë për të qenë nga këtu dhe për të arritur kudo, pa reshtur së qeni ata që jemi.”
Në ekspozitën kolektive marrin pjesë, ndër të tjerë, piktori dhe skulptori spanjoll Luis Ivorra, fotografi peruan Eric French, i cili jeton në Porto Riko, si dhe artistet portorikane Anelisse Molini, Marisol Torruella dhe Marie Court.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në fund të shtatorit./mxh
