Prokuroria e Përgjithshme këtë të mërkurë i përcolli nëpërmjet një shkrese zyrtare, Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, qëndrimin e saj mbi projektligjin për pagat e magjistratëve. Në qëndrimin e saj Prokuroria shprehet se ky projektligj krijon diferenca të pajustifikuara dhe jo harmonike mes niveleve të ndryshme të gjykatave dhe prokurorive.
“Në mungesë të një drafti formal të përcjellë zyrtarisht për konsultim, bazuar në përmbajtjen e projektligjit të publikuar në muajin korrik 2026 në faqen zyrtare të Kuvendit, si dhe në diskutimet publike të zhvilluara, vlerësojmë se projektligji ‘Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.96/2016 ‘Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë’’, në parim nuk garanton zbatimin e plotë dhe efektiv të Vendimit nr.15, datë 17/02/2026 të Gjykatës Kushtetuese dhe standardet kushtetuese të përcaktuara në të.
Ky projektligj krijon diferenca të pajustifikuara dhe jo harmonike mes niveleve të ndryshme të gjykatave dhe prokurorive”, thuhet në njoftim./ad
