Nënkryetarja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, është shprehur se heqja e taksës së qarkullimit nga çmimi i naftës, e cila është pjesë e paketës fiskale 2027, nuk përbën një ulje reale të barrës fiskale.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Xhixho tha se kjo është thjeshtë një zhvendosje e pagesës nga çmimi i karburantit te pagesa si taks vjetore e automjetit.
Xhixho theksoi se kjo nuk është reformë fiskale, por sipas saj, një tjetër skemë për të mashtruar qytetarët dhe për të mbushur arkën e shtetit në kurriz të tyre.
Reagimi i Xhixhos:
Heqja e Taksës së Qarkullimit nga çmimi i naftës, pjesë e Paktës Fiskale 2027, nuk përbën një ulje reale të barrës fiskale. Është thjesht zhvendosje e pagesës nga çmimi i karburantit në pomp tek pagesa si Taks Vjetore te Drejtoria e Transportit Rrugor.
Pra, taksa nuk hiqet, por vetëm ndryshon mënyra se si mblidhet. Ndryshon vetëm mënyra se si u merren paratë nga xhepi!
Çfarë sjell në të vërtetë kjo skemë?
* Dyfishim të barrës fikse vjetore për shumicën e pronarëve të automjeteve. Veçanërisht penalizohen ata që e përdorin makinën rrallë, të cilët deri tani paguanin në raport me konsumin real të karburantit.
* Asnjë garanci për uljen e çmimit në pompë. Në një treg ku konkurrenca nuk funksionon , lehtësimi fiskal mund të mos përkthehet në përfitim për konsumatorin, por të përthithet nga kompanitë e karburanteve.
Partia e Lirisë ka kërkuar TRE HERË PEZULLIMIN (2017,2022,2025) e Taksës së Qarkullimit dhe Taksës së Karbonit, si një masë konkrete për uljen e çmimit të naftës dhe lehtësimin e barrës mbi qytetarët dhe bizneset, në përputhje edhe me masat e ndërmarra nga vende të tjera.
Maxhoranca i refuzoi këto kërkesa, duke treguar se lehtësimi real i qytetarëve nuk ka qenë kurrë prioriteti i saj.
Sot, të njëjtët që refuzuan uljen reale të taksave, dalin të shesin propagandën e një lehtësimi që nuk ekziston.
Kjo nuk është reformë fiskale, por një tjetër skemë për të mashtruar qytetarët dhe për të mbushur arkën e shtetit në kurriz të tyre.
Qeveria nuk po ua heq taksën shqiptarëve. Po ua ndërron vetëm xhepin nga i cili ua merr paratë!/k.m
