Një zjarr i madh shpërtheu sot pranë destinacionit turistik Costa Brava, në verilindje të Spanjës, duke detyruar autoritetet të kufizojnë lëvizjen në më shumë se 10 komunitete përgjatë bregdetit të Katalonjës.
Flakët nisën në orët e mëngjesit pranë komunës La Bisbal d’Empordà, afër qytetit të Gironës, rreth 20 kilometra larg brigjeve të Mesdheut.
Erërat e forta favorizuan përhapjen e zjarrit, ndërsa një re e dendur tymi mbuloi zonën. Për këtë arsye, autoritetet vendosën ndalimin e qarkullimit në disa komunitete, përfshirë edhe qytetin turistik Platja d’Aro.
“Kjo është një situatë e vështirë, pasi zjarri nuk është i qëndrueshëm dhe ndryshon vazhdimisht drejtim”, deklaroi shefi i zjarrfikësve të Katalonjës, David Borrell.
Mbi 200 zjarrfikës janë angazhuar në operacionin për shuarjen e flakëve. Për të lehtësuar ndërhyrjen, autoritetet u bënë thirrje banorëve të Barcelonës, të cilët zakonisht vizitojnë zonën gjatë fundjavës, të shtyjnë udhëtimet e tyre./mxh
