Papa Leoni i XIV ka dhënë një mesazh të fortë kundër pabarazisë sociale gjatë një fjalimi të mbajtur këtë të mërkurë në Bazilikën e Konceptimit të Papërlyer në Guinenë Ekuatoriale.
Në praninë e dhjetëra besimtarëve, Ati i Shenjtë theksoi nevojën që shoqëria të punojë për të mirën e përbashkët dhe jo për interesa personale, duke bërë thirrje për uljen e hendekut mes të pasurve dhe shtresave në nevojë.
“Zoti na ndihmoftë të ndërtojmë një shoqëri ku secili, sipas përgjegjësive të tij, punon për të mirën e përbashkët dhe jo për interesa private, duke kapërcyer pabarazitë dhe duke mbrojtur dinjitetin njerëzor.”
Gjatë fjalës së tij, Papa ndaloi veçanërisht tek më të varfrit, familjet në vështirësi dhe të burgosurit, duke theksuar kushtet e vështira në të cilat ata shpesh jetojnë.
“Mendoj për më të varfrit, për familjet në vështirësi dhe për të burgosurit, të cilët shpesh detyrohen të jetojnë në kushte shqetësuese higjieno-sanitare.”
Mesazhi i Papës u prit me duartrokitje nga të pranishmit, ndërsa kori shoqëroi ceremoninë me këngë liturgjike.
Guinea Ekuatoriale, ndonëse një vend i pasur me naftë, vijon të përballet me pabarazi të theksuara ekonomike.
Papa Leoni pritet të udhëtojë drejt qytetit të Batës, ku do të vizitojë një burg të sigurisë së lartë, i cili është kritikuar nga organizatat e të drejtave të njeriut për kushtet e vështira dhe pretendimet për mbajtjen e të burgosurve politikë.
Gjithashtu, Ati i Shenjtë do të ndalet në vendin e shpërthimit tragjik të vitit 2021 në një kazermë ushtarake në Bata, ku humbën jetën mbi 100 persona./mxh
