Një muaj para zgjedhjeve në Hungari, kryeqyteti dhe zonat përreth janë mbushur me mesazhe me shpifje dhe video false, që shfaqin liderin e opozitës, Péter Magyar, si “kukull e Brukselit” dhe si njeri që dëshiron të përfshijë vendin në luftë. Sipas raportimit të Financial Times, bëhet fjalë për një fushatë dezinformimi e mbështetur nga Moska për të favorizuar rizgjedhjen e kryeministrit hungarez Viktor Orbán.
Fushata dyshohet të jetë planifikuar nga Social Design Agency, një kompani konsulence mediatike e lidhur me Kremlinin që nga viti 2024 dhe e vendosur nën sanksione perëndimore për operacionin “Doppelganger”, një fushatë e mëparshme për përhapjen e lajmeve të rreme dhe nxitjen e sentimentit anti-ukrainas pas pushtimit rus. Ndryshe nga “Doppelgänger”, aksioni aktual në Hungari synon të duket vendas, me përmbajtje të krijuara në Rusi, por të shpërndara nga influencerë hungarezë.
Sipas planit të kompanisë, të cilin e ka parë gazeta britanike, janë identifikuar rreth 50 personalitete pro-Orbán dhe 30 figura opozitare për të shpërndarë përmbajtjen e fushatës. Mesazhet promovojnë Orbánin si “lider të fortë me miq globalë”, duke përfshirë edhe Donald Trump, si kandidatin e vetëm që mban sovranitetin e vendit dhe mund të negociojë me liderët botërorë si i barabartë. Ndërkohë, Magyar paraqitet si udhëheqës i një opozite të ndarë, jo kompetente dhe me agjendë të fshehtë.
Fushata shpifëse shtrihet edhe ndaj liderëve ukrainas dhe të Bashkimit Evropian, të akuzuar për shpërdorim të parave të taksapaguesve. Një billbord i tregon ata duke hedhur para në një tualet të artë. Video të gjeneruara nga inteligjenca artificiale tregojnë edhe ushtarë hungarezë të vdekur në frontin ukrainas.
Péter Magyar ka denoncuar se partia në pushtet, me ndihmën e inteligjencës ruse, planifikon të nisë së shpejti një fushatë shpifëse të ngjashme me atë në Moldavi. Ai deklaroi se janë përgatitur 14 video AI për një kandidat për parlamentin e Tiszës dhe familjen e tij, të cilat do të shpërndahen përmes llogarive false për dhjetëra miliona njerëz. Magyar i bëri thirrje kryeministrit të ndalojë mashtrimin zgjedhor të planifikuar dhe të kërkojë largimin e agjentëve rusë nga Hungaria.
Raportimet e fundit të gazetës independente VSquare tregojnë se tre oficerë të agjencisë ruse të inteligjencës ushtarake GRU kanë mbërritur në Budapest, të vendosur në ambasadën ruse. Sipas burimeve, ata mund të punojnë për Sergei Kirienko, zëvendës-shefin e fuqishëm të stafit të Putin, i cili ka drejtuar më parë fushata të ngjashme të Social Design Agency në vende të tjera. Magyar, që më parë kishte shmangur konflikte me Moskën, kërkoi largimin e tyre, duke thënë: “Rusë, kthehuni në shtëpi”, duke rikujtuar revoltën anti-sovjetike të vitit 1956./MXH
