Papa Leo ka bërë thirrje për një angazhim më të madh të komunitetit ndërkombëtar për të frenuar përhapjen e epidemisë së Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos, e cila po shkakton viktima të shumta.
Gjatë lutjes së së dielës, para besimtarëve të mbledhur në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, Papa tha se e kujton shpesh në lutjet e tij popullin e Kongos, veçanërisht në këtë periudhë të vështirë për shkak të përhapjes së virusit Ebola.
“I bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar të përgjigjet në një mënyrë që të përfshijë edhe komunitetet lokale në përpjekjet për parandalimin, për të shpëtuar sa më shumë jetë njerëzish”, u shpreh Papa Leo.
Epidemia, sipas autoriteteve dhe zyrtarëve të Kombeve të Bashkuara, është përhapur në një zonë të gjerë të vendit dhe ka shkaktuar një numër të lartë infeksionesh dhe viktimash. Shpërthimi i 17-të i Ebolës në Kongon Demokratike ka tejkaluar në fund të korrikut rekordin e rasteve të konfirmuara të epidemisë së viteve 2018–2020.
Papa Leo shprehu gjithashtu solidaritetin e tij me popullin e Republikës së Afrikës Qendrore, pas viktimave të shkaktuara nga shembja e një miniere në Zamboye.
“Mëshiroftë Zoti ata që kanë humbur jetën dhe mbështetë përpjekjet për të garantuar sigurinë dhe ligjshmërinë në vendet e nxjerrjes së mineraleve”, tha Papa.
Nga sheshi i Shën Pjetrit, mesazhi i Papës ishte një thirrje për solidaritet ndërkombëtar, por edhe për përfshirjen e komuniteteve vendase në përballimin e krizave humanitare dhe garantimin e sigurisë së njerëzve./mxh
