Australia ka konfirmuar rastin e parë të gripit të shpendëve H5N1 te një gjitar. Virusi vdekjeprurës është zbuluar te një fokë me hundë të gjatë, e gjetur e ngordhur në zonën e Beachport, në Australinë e Jugut.
Ministrja australiane e Bujqësisë, Julie Collins, konfirmoi se analizat laboratorike kanë rezultuar pozitive për virusin H5.
“Është, fatkeqësisht, rasti i parë i konfirmuar i gripit të shpendëve H5 te një gjitar në Australi”, deklaroi Collins, duke shtuar se bëhet fjalë për një zhvillim shqetësues, por jo të papritur, duke pasur parasysh përhapjen e virusit në mjedisin natyror.
Autoritetet thonë se, deri tani, nuk ka prova që rasti i fokës të jetë i lidhur me gjitarë të tjerë detarë të sëmurë apo të ngordhur. Sipas tyre, kafsha mund të jetë infektuar përmes kontaktit me shpendë të infektuar ose me mjedisin që ata ndajnë.
Australia po përballet me një rritje të rasteve të gripit të shpendëve shumë patogjen, pasi virusi u zbulua për herë të parë në vend në muajin qershor.
Sipas shifrave më të fundit, në Australi janë regjistruar deri tani 298 raste pozitive të H5 që nga nisja e shpërthimit.
Megjithatë, autoritetet australiane theksojnë se deri në këtë fazë nuk ka asnjë dëshmi të infektimit në fermat e shpendëve apo në sistemet bujqësore. Ministrja Collins tha gjithashtu se rreziku për shëndetin e njerëzve mbetet i ulët.
Rasti i ri vjen në një kohë kur Australia ka regjistruar edhe ngordhje masive të shpendëve të detit. Virusi, i zbuluar fillimisht te shpendët migratorë, është përhapur më pas edhe te specie vendase.
Foka u gjet e ngordhur në Beachport, rreth 310 kilometra në jug të Adelaide-s. Autoritetet bëjnë me dije se nuk kishte shenja dëmtimi në trupin e saj./mxh
