Papa Leoni XIV zhvilloi këtë të hënë një takim në Vatikan me lideren e opozitës venezuelane dhe fituesen e Çmimit Nobel për Paqen, Maria Corina Machado. Lajmi u konfirmua nga Selia e Shenjtë përmes njoftimit ditor të axhendës së Papës, pa dhënë detaje mbi përmbajtjen e bisedës.
Takimi nuk ishte paralajmëruar më herët për median dhe vjen në një moment të tensionuar për Venezuelën, pas zhvillimeve të fundit politike në vend.
Papa Leoni XIV, Papa i parë amerikan në histori, ka shprehur publikisht qëndrimin e tij për ruajtjen e pavarësisë së Venezuelës dhe ka dënuar përdorimin e forcës ushtarake për arritjen e objektivave politike. Në një fjalim të fundit, ai ka bërë thirrje për respektimin e të drejtave të njeriut dhe mbrojtjen e popullit venezuelan.
Maria Corina Machado, ish-anëtare e Asamblesë Kombëtare, u ndalua nga autoritetet që të kandidonte në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2024. Ajo mbështeti një kandidat zëvendësues, për të cilin opozita dhe vëzhguesit ndërkombëtarë thanë se kishte fituar zgjedhjet, ndërsa autoritetet shpallën fitues presidentin Nicolas Maduro, mes akuzave për parregullsi në procesin zgjedhor.
Takimi në Vatikan shihet si një sinjal i rëndësishëm mbështetjeje morale për dialogun, demokracinë dhe respektimin e të drejtave themelore në Venezuelë./MXH
