Ekonomia shqiptare po hyn në vitin 2026 me disa tregues pozitivë, të reflektuar në rritjen e të ardhurave për frymë, pagave dhe punësimit. Sipas të dhënave të prezantuara, të ardhurat për frymë parashikohet të arrijnë në 12,200 deri në fund të vitit 2026, nga 11,355 euro në vitin 2025, me një rritje prej 845 eurosh. Nga ana tjetër, Ministri Petrit Malaj u shpreh se objektivi është që deri në vitin 2029 niveli i të ardhurave për frymë të arrijë në 15 mijë euro.
Një tjetër tregues i rëndësishëm është inflacioni i cili u raportua në 2.7%, ndër normat më të ulëta në Ballkanin Perëndimor, çka ndihmon në ruajtjen e fuqisë blerëse të familjeve, veçanërisht nëse shoqërohet me rritje të qëndrueshme të pagave.
Në tregun e punës, papunësia ka vijuar të bjerë në 8.4% dhe është në nivelin më të ulët të raportuar deri tani. Paralelisht, paga mesatare është rritur, me një ritëm më të dukshëm në sektorin publik, por edhe në atë privat.
Të dhënat tregojnë gjithashtu një zhvendosje të punësimit drejt niveleve më të larta të pagave, çka lidhet edhe me formalizimin e tregut të punës.
Në tërësi, kombinimi i rritjes së pagave, rënies së papunësisë dhe inflacionit të moderuar krijon një tablo më pozitive për fuqinë blerëse. Megjithatë, ndikimi real në standardin e jetesës varet nga sa e qëndrueshme do të jetë kjo rritje dhe nëse përfitimet shpërndahen në mënyrë të njëtrajtshme në ekonomi./ad
