Last Updated on 08/06/2026 by EL
Kur flitet për ndotjen e mjedisit, vëmendja zakonisht përqendrohet te sektorë si transporti, industria apo bujqësia. Por një studim i ri ka nxjerrë në pah një paradoks interesant: disa nga njerëzit më të pasur dhe më të ndërgjegjshëm për mjedisin rezultojnë të kenë gjurmë ekologjike më të lartë se bashkëmoshatarët e tyre.
Studimi, i publikuar në revistën shkencore Communications Earth & Environment, analizoi mbi 5 mijë persona nga Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara. Pjesëmarrësit u pyetën për të ardhurat, nivelin arsimor, pasurinë, si dhe për qëndrimet e tyre ndaj mbrojtjes së natyrës dhe klimës.
Më pas, studiuesit vlerësuan gjurmën ekologjike të secilit duke marrë parasysh faktorë si konsumi i mishit dhe produkteve të bulmetit, madhësia e banesës, përdorimi i automjetit, prodhimi i mbetjeve dhe udhëtimet me avion.
Fluturimet, faktori kryesor
Rezultatet treguan se në përgjithësi njerëzit që kujdesen më shumë për mjedisin kanë ndikim më të ulët ekologjik. Megjithatë, për rreth 30% të personave më të pasur dhe më të arsimuar ndodh e kundërta: sa më të angazhuar deklarohen për mbrojtjen e klimës, aq më e madhe është gjurma e tyre ekologjike. Shkaku kryesor lidhet me udhëtimet ajrore. Sipas studiuesve, personat me status të lartë ekonomik, edhe kur janë të ndjeshëm ndaj çështjeve mjedisore, fluturojnë më shpesh se të tjerët. Fluturimet konsiderohen ndër aktivitetet individuale me ndikimin më të madh në emetimet e karbonit. Ekspertët shpjegojnë se këta individë shpesh janë më të hapur ndaj kulturave të ndryshme, kanë rrjete ndërkombëtare miqsh dhe kolegësh dhe udhëtojnë më shumë për punë apo turizëm, duke rritur kështu emetimet e tyre.
Një nga masat më të diskutuara është rritja e taksave për fluturimet, një praktikë që zbatohet tashmë në disa vende europiane. Megjithatë, studiuesit paralajmërojnë se kjo mund të mos ndikojë shumë te personat me të ardhura të larta, të cilët mund të përballojnë kostot shtesë.
Sipas autorëve, mesazhi kryesor i studimit nuk është të fajësohen të pasurit, por të tregohet se ndërgjegjësimi individual nuk mjafton për të luftuar ndryshimet klimatike. Për të arritur rezultate konkrete nevojiten politika dhe rregulla që zbatohen njësoj për të gjithë. Megjithatë, studiuesit theksojnë se bëhet fjalë për një kërkim të vetëm, të bazuar në një kampion relativisht të kufizuar, ndaj rezultatet duhen interpretuar me kujdes. Studimi evidenton një lidhje mes pasurisë, ndërgjegjësimit mjedisor dhe emetimeve, por nuk provon domosdoshmërisht një marrëdhënie shkak-pasojë./FC
