Kritiku i njohur i filmit, Paolo Mereghetti, ka ndarë parashikimet e tij për ndarjen e çmimeve Oscar 2026, duke bërë një dallim të qartë mes shijeve artistike dhe llogarive të industrisë së Hollivudit.
Sipas tij, ndonëse filmi horror “Sinners” kryeson me 16 nominime, gara e vërtetë për çmimet kryesore do të jetë më e ndërlikuar. Për kategorinë e “Filmit më të mirë”, Mereghetti vlerëson dramën norvegjeze “Sentimental Value” si më emocionuesen dhe më të vërtetën, por parashikon se Akademia do të shpallë fitues dramën shekspiriane “Hamnet”, si një dëshmi e vlerësimit për audiencën e kulturuar.
Në kategorinë e regjisë, gara pritet të jetë mes Paul Thomas Anderson dhe Joachim Trier, me Mereghettin që anon nga Anderson për ekuilibrin narrativ në filmin “Battle After Battle”. Megjithatë, ai ngre dyshime se Ryan Coogler mund të përfitojë nga mbështetja e produksionit për filmin “Sinners”.
Sa i përket aktorëve, kritikun e ndan dëshira nga realiteti: ai shpreson që Leonardo DiCaprio të vlerësohet për performancën e tij superiore në “Battle After Battle”, por parashikon se statuja e artë do të shkojë për Timothée Chalamet në “Marty Supreme”, pavarësisht polemikave të fundit të aktorit.
Për aktoret protagoniste, Jessie Buckley konsiderohet e padiskutueshme në rolin e saj te “Hamnet”, duke lënë pas rivalet falë gjenisë së tekstit të Shekspirit. Ndërkohë, në kategoritë dytësore, Mereghetti sheh si favorite Wunmi Mosaku për “Sinners” dhe Sean Penn për rolin e tij të shkëlqyer te “Battle After Battle”, ndonëse vëren se shpesh votat e Akademisë ndikohen nga faktorë që nuk lidhen me aftësitë artistike.
Së fundi, për “Filmin më të mirë ndërkombëtar”, ai parashikon një fitore për regjisorin iranian Jafar Panahi me “A Simple Incident”, si një mesazh politik kundër qëndrimeve të administratës Trump, duke mposhtur kështu favoritët e tjerë në garë./kb
