Last Updated on 22/09/2025 by adminfjala
Parkimi i gabuar është shndërruar prej kohësh në një nga problemet më të mëdha të kryeqytetit. Çdo ditë, qytetarët ndeshen me makina të ndaluara në trotuare, në vendqëndrimet e autobusëve apo edhe në hyrjet e pallateve.
Ky fenomen, përveçse pengon lëvizjen e lirë, krijon trafik, tension dhe shpeshherë konflikte mes shoferëve dhe kalimtarëve.
new.fjala.al/ e ka ngritur edhe më herët një shqetësim të ngjashëm më motorrët dhe bicikletat, që nuk respektojnë hapësirat publike duke u kthyer në rrezik për kalimtarët e pedonaleve.
Për të përballuar këtë situatë, Policia Rrugore e Tiranës ka intensifikuar kontrollet. new.fjala.al/, sjell një video pasqyruese ku shihet se si policia është vënë në aksion për gjoba ndaj automjete të parkuara në shkelje të qartë të ligjit.
Edhe pse gjobat shpesh shkaktojnë pakënaqësi tek drejtuesit e mjeteve, një pjesë e mirë e qytetarëve e shohin këtë ndërhyrje si të domosdoshme.
Ekspertët e qarkullimit rrugor theksojnë se parkimi i gabuar nuk është vetëm çështje gjobe apo rregulli, por çështje sigurie. Një makinë e ndalur në korsinë e emergjencës, një automjet që bllokon hyrjen e një spitali apo një rrugë të ngushtë lagjeje, mund të pengojë mjetet e ambulancës, zjarrfikëses apo policisë të ndërhyjnë në kohë.
Për këtë arsye, edhe gjobat sipas Kodit Rrugor janë të ndryshme në varësi të shkeljes: parkimi i thjeshtë në trotuar apo rrugë pa leje dënohet me 1.000 deri në 2.500 lekë, parkimi në vende të rezervuara (autobusë, taksi, persona me aftësi të kufizuara) me 5.000 deri në 10.000 lekë dhe parkimi në korsinë e emergjencës me 10.000 deri në 30.000 lekë.
Megjithëse policia po shfaqet më aktive, sfida mbetet e madhe. Tirana ka më shumë makina sesa hapësira parkimi, ndërsa kultura e respektimit të rregullave shpesh mbetet e dobët. Një pjesë e shoferëve zgjedhin komoditetin e tyre, duke u parkuar aty ku u leverdis, pa marrë parasysh pasojat për të tjerët./E.T
