Last Updated on 18/02/2025 by adminfjala
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja deklaroi se Parku Teknologjik Durana do të jetë një pol i rëndësishëm zhvillimi rajonal për Shqipërinë.
Në një konferencë për mediat së bashku me Drejtoreshën e Koorporatës së Investimeve, Elira Kokona, Gonxhja theksoi se ky projekt pritet të sjellë investime të huaja, prodhim të vlerës së shtuar dhe transferim të dijeve, duke ndihmuar start-up-et të kthehen në biznese të qëndrueshme.
Përmes këtij parku në Xhafzotaj të Durrësit, synohet krijimi i mundësive të reja për punësim dhe aftësim profesional dhe kthimi i autostradës Tiranë-Durrës në një pol rajonal të zhvillimit teknologjik.
‘Parku teknologjik Durana sjell zhvillim ekonomik për Shqipërinë. Është një pol zhvillimi rajonal. Nga Durana presim të përfitojmë investime të huaja, prodhim të vlerës së shtuar, transferim të dijeve si dhe kthim të start-up në biznese të mirëfillta që krijojnë mundësi punësimi dhe aftësimi’, tha Gonxhja.
Ndërsa Elira Kokona nënvizoi se ‘Durana’ do jetë një motor i zhvillimit ekonomik.
‘Durana është një projekt i debatuar. Është parku i parë tek teknologjik në Shqipëri, dhe përmes këtij parku synon të kthehet në lider rajonal në zhvillimin e teknologjive. Do tërheqim ata që duan të punojnë në park, por edhe për të jetuar në Shqipëri. Durana është më shumë se një park, është një platformë që mbështet teknologjinë, nomadet digjital dhe start up. Ky hap e pozicionon Shqipërinë në hartën globale të inovacionit. Deri tani kanë shprehur interesin për të qenë biznese pjesë e Duranes 50 kompani.
Ky park do të ofrojë mundësinë e biznesit me lehtësi të shumta fiskale.’/E.T