Kuvendi i Shqipërisë zhvillon këtë të enjte, më 11 dhjetor 2025, seancën plenare të radhës, e cila nis në orën 10:00 sipas urdhrit të Kryetarit të Kuvendit. Në rendin e ditës janë përfshirë një sërë çështjesh të rëndësishme që lidhen me interpelanca, projektligje fiskale, si dhe zgjedhjen e Avokatit të Popullit.
Seanca nis me miratimin e procesverbaleve të mbledhjeve të mëparshme dhe me njoftimet e zakonshme parlamentare. Më pas pritet të zhvillohen dy interpelanca: një me ministrin e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhen, kërkuar nga deputetja Ina Zhupa, dhe një interpelancë tjetër, e kërkuar nga deputeti Agron Shehaj me kryeministrin Edi Rama.
Pjesa kryesore e seancës i dedikohet paketës fiskale për vitin e ardhshëm. Deputetët do të shqyrtojnë dhe votojnë disa projektligje që përfshijnë ndryshime në procedurat tatimore, TVSH-në, tatimin mbi të ardhurat, taksat vendore, si dhe ligjin për faturimin dhe monitorimin e qarkullimit. Ndër projektaktet më të rëndësishme është edhe ai për buxhetin e vitit 2026.
Në votim janë gjithashtu projektligji për marrëveshjen e “paqes fiskale”, projektligji për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme, si dhe ai për fshirjen dhe shuarjen e detyrimeve tatimore.
Në rend dite është përfshirë edhe projektligji për koncesionet dhe partneritetet publik–privat, projektligji për gjuetinë, ndryshimet në ligjin për ndryshimet klimatike, si dhe propozime për amendime në ligjin e organizatave jofitimprurëse.
Një pikë tjetër e rëndësishme e seancës është projektvendimi për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, që kërkon shumicë të cilësuar votash.
Në vijim, deputetët do të diskutojnë mocionin me debat mbi gjetjet e raportit final të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet parlamentare të majit 2025. Debati do të zgjasë 150 minuta dhe do të shpërndahet sipas përpjestimit mes grupeve parlamentare. m.p.
