Kriza energjetike që shpërtheu pas luftës në Ukrainë rriti çmimet e elektricitetit në mbi 500 euro/MWh në gusht 2022. Që atëherë, shumë parqe fotovoltaike janë futur në prodhim dhe të tjera janë në ndërtim ose në proces aplikimi.
Megjithatë, tregu tashmë është i ngopur dhe kjo ka sjellë ulje të ndjeshme të çmimeve të elektricitetit në bursën Alpex. Për shembull, në dhjetor 2025, gjatë një muaji me konsum të lartë, çmimi ra në 25 euro/MWh, ndërsa gjatë gjysmës së muajit janar 2026 qëndrimet ishin nën 30 euro/MWh.
Ky fenomen quhet “kanibalizim”, ku parqet PV e ulën vetë çmimin e shitjes së energjisë që prodhojnë.
Përputhja e ligjit shqiptar me legjislacionin e Bashkimit Europian do të lejojë edhe formimin e çmimeve negative. Kjo do të thotë se ndonjëherë elektriciteti me shumicë mund të ketë çmim nën zero, dhe rrallë, edhe konsumatori përfundimtar (p.sh. OSHEE) mund të paguhet për energjinë që përdor.
Shkaku është se energjia e prodhuar nga dielli ka disa karakteristika të veçanta:
Nuk mund të ruhet/magazinohet.
Prodhohet kryesisht midis orës 10:00 – 16:00, kur kërkesa është më e ulët.
Greqia, dikur importuese neto, tani mund të eksportojë energji fotovoltaike drejt Shqipërisë.
Nuk ka ndërlidhje të mjaftueshme për eksport në vendet fqinje.
Çmimet pranë zeros rrezikojnë seriozisht investimet që janë kryer dhe po kryhen ende.
Me një kosto prej 30-40 euro/MWh, investimet në PV mund të përballen me falimentim dhe ndikojnë edhe në sistemin bankar, i cili ka dhënë shumë kredi për këtë sektor.
Parqet fotovoltaike (PV), që prodhojnë energji elektrike nga dielli, në kushtet aktuale fitimin e tyre e kanë rreth 40,000 euro për hektar për megavat kapacitet të instaluar në vit, më pak se fitimet nga fermat bujqësore, sidomos serrat.
Të dhënat e kapaciteteve deri më 2025, së bashku me 600 MW energji eolike që pritet të hyjnë në vitin e ardhshëm, tregojnë një rritje të konsumit prej +10%. Tregu i përbashkët Shqipëri-Kosovë mbetet i ndjeshëm ndaj çmimeve të ulëta dhe risqeve nga oferta e lartë e energjisë së rinovueshme. /Marrë nga Monitor/kb
