Last Updated on 08/12/2025 by Monika
“Parlamenti i parë pluralist në Shqipëri ka qenë praktikisht ‘part-time’ për deputetët”. Me këtë deklaratë, analisti Afrim Krasniqi solli në vëmendje detaje pak të njohura nga vitet e para të tranzicionit. Ai kujtoi se shumë deputetë të atij parlamenti ishin mësues, mjekë apo profesionistë të tjerë që vijonin punën e tyre të përditshme dhe merrnin pjesë vetëm disa orë në seancat parlamentare, duke përfituar honorare.
Sipas Krasniqit, koncepti i ndarjes së pushteteve u kuptua shumë vonë në Shqipëri. “Mësues fizkulture, mjekë e punonjës të tjerë shkonin vetëm për dy orë në seancë. Parlamenti duhej të kontrollonte ekzekutivin, ndërkohë që vetë deputetët punonin në institucione të ekzekutivit, i cili kishte detyrimin t’u siguronte edhe transportin për të udhëtuar nga rrethet në Tiranë. Kur u kuptua se pushtetet duhet të jenë të ndara, ishte tepër vonë,” tha ai.
Në analizën e tij, Krasniqi u ndal edhe te roli i partive politike në Shqipëri, të cilat sipas tij janë larg funksionit që duhet të kenë në një sistem demokratik.
“Partitë tona janë kthyer në mallkim, kur duhej të ishin pasuri. Janë kthyer në kërcënim, kur duhej të ishin bashkëpunëtore. Sot ngjajnë me bunkerë, kur duhej të ishin avokate të kauzave qytetare. U mungon fryma e brendshme e demokracisë dhe janë shndërruar në prona private. Sistemi ynë është refuzues, denigrues dhe fyes për fëmijët e sotëm,” u shpreh ai./mxh
