Partizani fitoi 1-0 ndaj Elbasanit në ndeshjen e parë çerekfinale të Kupës së Shqipërisë.
Takimi i zhvilluar në “Elbasan Arena” u mbyll pa gola në pjesën e parë, mes rasteve të krijuara nga të dyja skuadrat dhe një ndërprerjeje të përkohshme për shkak të tensionit në tribuna, ku tifozët vendas shpërthyen në ofendime ndaj trajnerit Oltion Kërnaja.
Në fraksionin e dytë, vendasit patën disa mundësi të mira shënimi, por nuk arritën të konkretizonin. Momenti vendimtar erdhi në minutën e 88-të, kur gjyqtari akordoi penallti për Partizanin dhe ndëshkoi me karton të dytë të verdhë Arsen Kasën.
Nga pika e bardhë, Skuka u tregua i saktë, duke shënuar golin e vetëm të sfidës. Më herët, pati protesta nga stafi i Elbasanit, me trajnerin Gvozdenovic që u ndëshkua me karton të kuq.
Ndeshja e kthimit do të luhet në “Arenën e Demave”, ku Partizani do të mbrojë epërsinë./mxh
