Zv.kryeministri shqiptar i Malit të Zi, Nik Gjeloshaj ka reaguar pas vendimit të Hagës për liderët e UÇK-së.
Me një reagim në rrjetin e tij social në Facebook, ai u shpreh se ky është një vendim jashtëzakonisht i padrejtë. Gjeloshja u shpreh se deri në përfundimin e plotë të procesit, do të dëshmohet pafajësia e të gjithëve.
“Lajm shumë i keq dhe një vendim jashtëzakonisht i padrejtë! Sot mund të jetë ditë zie për shqiptarët, por qëndrimi dinjitoz i të akuzuarve i jep forcë popullit shqiptar që ta përballojë këtë dhimbje, me besimin se ky aktgjykim i tmerrshëm do të rrëzohet në instancat më të larta. Nuk kam besuar kurrë se një vendim gjyqësor mund të ishte i tillë dhe kaq i padrejtë. Ky është vendim i shkallës së parë dhe procesi gjyqësor nuk ka përfunduar.
Besojmë se, deri në përfundimin e plotë të procesit, do të dëshmohet pafajësia e të gjithëve.
Lufta e UÇK-së ishte vetëmbrojtëse, çlirimtare dhe e drejtë. Ishte luftë për mbijetesën, lirinë dhe shtetin e Kosovës, e përkrahur nga aleatët tanë perëndimorë. Agresori nuk mund dhe nuk duhet të barazohet me atë që është detyruar të mbrohet. Shqiptarët dhe vetë të akuzuarit i kanë respektuar institucionet ndërkombëtare. Ata as nuk kanë ikur, as nuk janë fshehur, por janë paraqitur para drejtësisë dhe do ta vazhdojnë betejën e tyre ligjore deri në fund.
Çdo shqiptar e ka në zemër luftën e shenjtë të UÇK-së dhe komandantin legjendar Adem Jashari. Çdo shqiptar beson në pafajësinë e tyre!
Liria dhe pavarësia kanë një vulë: UÇK-ja dhe Amerika!
P.S.
Nuk ia vlen të komentohet nxjerrja e një deklarate sime nga konteksti dhe manipulimi me të. Biseda ishte për respektimin e vendimeve të gjykatave ndërkombëtare nga shqiptarët, për dallim nga qëndrimi i palës tjetër.
Kurrë nuk kam besuar se gjykatat ndërkombëtare mund të bëjnë padrejtësi. Edhe Ante Gotovina përjetoi padrejtësi në shkallën e parë, por në shkallën e dytë fitoi drejtësia.
Besojmë deri në fund; beteja për drejtësi vazhdon”, u shpreh në reagimin e tij Nik Gjeloshaj./mxh
