Last Updated on 16/09/2026 by EL
Deputeti i Partisë Socialiste, Pirro Vengu, ka reaguar pas vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë për katër ish-drejtuesit e UÇK-së, ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi u dënuan me një total prej 81 vitesh burgim për krime lufte.
Deputeti socialist e krahasoi totalin e dënimeve me dënimin e ish-udhëheqësit serb të Bosnjës, Radovan Karaxhiç, duke argumentuar se diferenca në dënime ngre pikëpyetje.
“E ndoqëm vendimin sot në Komitetin e Sigurisë edhe me gjithë grupin parlamentar së bashku dhe me kolegët të opozitës, sepse është padyshim një lajm rrëqethës, rrëqethës të dëgjoje këto dënime që shqiptoheshin në emër të popullit të Kosovës dhe rrëqethës fakti që katër dënimet të marra së bashku 81 vite ndërkohë që kasapi i Ballkanit Radovan Karaxhiçi, i cili u dënua për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit në shkallë të parë u dënua me 40 vjet.”, u shpreh ai.
Vengu deklaroi se Shqipëria dhe Kosova duhet të shqyrtojnë të gjitha mundësitë ligjore dhe institucionale pas vendimit.
“Gjykoj që besnikëria jonë ndaj Perëndimit nuk kërkon nga ne që të heshtim përballë padrejtësive të tilla dhe Kosova dhe Shqipëria duhet të ndërmarrin të gjitha hapat e mundshëm ligjor dhe institucional në mënyrë që historia e shqiptarëve mos të shtrembërohet në sallat e një gjyqi edhe një gjykate që sot u bë streh e padrejtësisë”, tha Vengu.
Ai kritikoi gjithashtu faktin që procesi u zhvillua jashtë Kosovës dhe pa gjyqtarë nga Kosova, duke e cilësuar si të gabuar krijimin e Gjykatës Speciale.
Sipas Vengut, duhet bërë çdo përpjekje që konteksti historik i luftës dhe çlirimit të Kosovës të merret parasysh në vlerësimin e ngjarjeve.
I pyetur nëse vendimi mund të shkaktojë reagime në Ballkan, Vengu bëri thirrje për gjakftohtësi. “Duhet të ruajmë gjakftohtësinë”, u shpreh ai, duke shtuar se Shqipëria dhe Kosova duhet të vlerësojnë impaktin e vendimit dhe të ndërmarrin veprimet ligjore e institucionale që i konsiderojnë të përshtatshme.
