Sandra Bullock ka ndarë me publikun një bisedë që pati me vajzën e saj, duke zbuluar se ajo e kishte nxitur të fillonte sërish të dilte në takime pas vdekjes së partnerit të saj, Bryan Randall, i cili ndërroi jetë në moshën 57-vjeçare, pas një beteje shëndetësore.
“Tha se duhej të filloja të dilja me dikë, por vetëm me dikë që mund t’u ofronte atyre gjëra. Kështu që e pyeta: ‘Çfarë do të thuash? Një reper? Një basketbollist? Këto janë kriteret?’. Dhe ajo më tha: ‘Po’. Dhe unë thashë: ‘Ah, në rregull’”, rrëfeu aktorja fituese e çmimit Oscar në podcastin “Not Gonna Lie with Kylie Kelce”.
Bullock është nënë e Louis, 16 vjeç, dhe Laila, 12 vjeç, të cilët i ka birësuar pak para se të mbushte 50 vjeç. Ajo i rriti fëmijët së bashku me Randall deri në vdekjen e tij, në gusht të vitit 2023, pas betejës me sklerozën laterale amiotrofike (ALS), sëmundje për të cilën ai nuk kishte folur publikisht.
Në podcast, Bullock foli edhe për jetën e saj si nënë e vetme.
“Thjesht po e pranoj situatën ashtu siç është. I përballoj gjërat aty ku janë. Përpiqem të nxjerr diçka të bukur nga e gjithë kjo, edhe kur brenda meje jam duke qarë”, tha ajo.
Ylli i Hollywood-it konfirmoi gjithashtu se pranon role si aktore vetëm kur ato mund të përshtaten me orarin e fëmijëve të saj, siç ndodhi edhe me vazhdimin e filmit “Practical Magic”.
“Për mua, të qenit nënë është gjithçka. Puna ime është e mrekullueshme, por fëmijët e mi janë gjithçka për mua. Prandaj, nëse diçka nuk funksionon për ta dhe për kohën që kam në dispozicion me ta, nuk do ta bëj. Jam me fat që jam një nga ato nëna që mund të jetë vazhdimisht pranë fëmijëve të saj. Nuk kam aspak dëshirë t’i lë ata”, pohoi ajo.
Bullock rrëfeu gjithashtu se i vjen mirë që fëmijët e saj nuk tregojnë aspak interes për karrierën e saj të madhe kinematografike.
“Edhe fëmijët e njerëzve që shkojnë çdo ditë në një zyrë nuk interesohen për punën e prindërve të tyre”, tha ajo me shaka.
Aktorja tregoi se, kur ndodhej në xhirime, fëmijët e saj dinin kryesisht për ushqimin që ofrohej në sheshin e xhirimit.
“Kjo ishte puna ime për ta. Një vend ku kishte plot ushqim për ekipin”, përfundoi ajo.
Sandra Bullock është një nga figurat më të dashura të kinemasë amerikane, e njohur për aftësinë për të kaluar nga komeditë romantike te rolet dramatike dhe filmat aksion.
Me një karrierë të gjatë në Hollywood, ajo ka fituar një Oscar dhe ka lënë gjurmë me personazhe të spikatura në filma si Speed, Miss Congeniality, The Blind Side dhe Gravity./mxh
