Liqeni i Shkodrës, një nga mrekullitë natyrore më të rëndësishme të Shqipërisë, pritet shumë shpejt t’i bashkohet listës së zonave të Biosferës së mbrojtur nga UNESCO. Të paktën kështu ka deklaruar këtë të mërkurë, më 10 dhjetor, kryeministri Edi Rama, i cili publikoi një video-kartolinë nga liqeni, e shoqëruar me pamje të pelikanit dalmat, shpendit simbol të tij.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama shkroi:
“MIRËMËNGJES dhe me këtë kartolinë nga Liqeni i Shkodrës, me shpendin simbol të tij, pelikanin dalmat (Pelecanus crispus), që shumë shpejt pritet t’i bashkohet listës së zonave të Biosferës së mbrojtur nga UNESCO, ju uroj një ditë të mbarë .
Liqeni i Shkodrës është liqeni më i madh në gadishullin e Ballkanit dhe shtrihet në kufirin mes Shqipërisë dhe Malit të Zi. Ai njihet për biodiversitetin e jashtëzakonshëm, ekosistemin e pasur dhe rëndësinë e tij ekologjike për migrimin e shpendëve ujorë.
Një tjetër sukses i Shqipërisë në UNESCO
Lahuta dhe eposi i Kreshnikëve përfaqësojnë një traditë shekullore të krahinave veriore, nga Malësia e Madhe, Dukagjini e Rugova, deri në Plavë e Guci. Ato bartin vlera të trashëguara si trimëria, besa, nderi dhe mikpritja.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, theksoi ditën e djeshme se përfshirja e lahutës në UNESCO është rezultat i një pune kërkimore shumëvjeçare, të udhëhequr nga studiuesit Vaso Tole, Shaban Sinani, Rigers Halili, Armanda Hysa dhe Susane Ogge, të cilët përgatitën dosjen e dorëzuar në mars 2024. Procesi u mbështet nga Ministria e Kulturës dhe AADF.
“Shqipëria mbetet e angazhuar për të ruajtur, promovuar dhe fuqizuar këtë pasuri të rrallë kulturore, duke mbajtur të hapur edhe bashkëpunimin e ardhshëm me Kosovën!”, shkroi ministri Gonxhja./kb
