Last Updated on 01/07/2026 by EL
Kisha Katolike po përballet me një përçarje të re, pasi Fraterniteti Meshtarak i Shën Piut X, i njohur si lëvizja lefebvriane, shuguroi katër peshkopë pa miratimin e Selisë së Shenjtë. Ceremonia u zhvillua në Écône, të Zvicrës, pavarësisht thirrjes së Papa Leonit XIV për të ruajtur unitetin e Kishës. Sipas Kodit të së Drejtës Kanonike, shugurimi i peshkopëve pa mandat papnor përbën një shkelje shumë të rëndë dhe sjell shkishërim automatik (latae sententiae) si për peshkopin që kryen shugurimin, ashtu edhe për ata që e marrin atë. Ngjarja ka rikthyer në vëmendje termin “skizmë”, një fjalë që në historinë e Kishës ka shënuar disa nga ndarjet më të mëdha.
Çfarë do të thotë skizmë?
Skizma është ndarja nga autoriteti i Kishës, por jo domosdoshmërisht edhe nga doktrina e saj. Ndryshe nga herezia, që nënkupton mohimin e një të vërtete të besimit, skizma lind kur një grup nuk e njeh më autoritetin e Papës dhe vendos të veprojë në mënyrë të pavarur. Lëvizja lefebvriane e ka origjinën te arqipeshkvi francez Marcel Lefebvre, i cili në vitin 1988 u përplas me Vatikanin për shkak të kundërshtimit të reformave të Koncilit të Dytë të Vatikanit. Edhe sot, pasuesit e tij pretendojnë se po mbrojnë traditën katolike, ndërsa Selia e Shenjtë i konsideron veprimet e tyre një shkelje të rëndë të rendit kishtar.
Pse ndodhin përçarje të tilla?
Psikologët dhe sociologët shpjegojnë se ndarjet më të forta shpesh nuk lindin nga dallime të mëdha, por nga mospajtime të vogla që me kalimin e kohës marrin një peshë gjithnjë e më të madhe. Psikoanalisti Sigmund Freud e quajti këtë fenomen “narcizmi i dallimeve të vogla”. Sipas tij, grupet që ndajnë pothuajse të njëjtat bindje priren të konfliktohen pikërisht për çështje që në pamje të parë duken dytësore, por që për ta përfaqësojnë identitetin dhe “pastërtinë” e traditës. Sociologët theksojnë se një institucion mbetet i bashkuar vetëm për sa kohë anëtarët e tij njohin të njëjtin autoritet. Kur një grup nuk e konsideron më legjitime udhëheqjen qendrore, bashkëjetesa bëhet pothuajse e pamundur. Në këto raste, grupi që ndahet e sheh veten si mbrojtësin e vetëm të traditës, ndërsa institucioni qendror reagon me masa disiplinore për të mbrojtur unitetin e pjesës tjetër të komunitetit. Edhe pse bëhet fjalë për një ngjarje fetare, studiuesit vërejnë se mekanizma të ngjashëm shfaqen edhe në politikë, organizata apo komunitete në rrjetet sociale. Akuza për tradhti të idealeve fillestare, përjashtimi i anëtarëve dhe krijimi i grupeve rivale janë modele që përsëriten shpesh, pavarësisht kohës apo fushës ku ndodhin./FC
