Last Updated on 01/07/2026 by EL
Nëse mendoni se shtëpia juaj nuk ka merimanga, ka shumë gjasa të gaboheni. Një studim ka zbuluar se pothuajse çdo banesë strehon merimanga, edhe pse shumicën e kohës ato kalojnë pa u vënë re. Sipas një studimi të kryer nga studiues të Universitetit Shtetëror të Karolinës së Veriut (North Carolina State University), pothuajse të gjitha shtëpitë janë habitat për një numër të madh artropodësh, grupi ku bëjnë pjesë insektet, merimangat, marimangat dhe shumëkëmbëshat.
Mbi 10 mijë “banorë” në vetëm 50 shtëpi
Shkencëtarët vizituan 50 banesa në zonën e Raleigh, në Shtetet e Bashkuara, duke kontrolluar çdo dhomë dhe duke mbledhur të gjithë artropodët e dukshëm, të gjallë ose të ngordhur. Në total u identifikuan më shumë se 10.000 ekzemplarë, që i përkisnin të paktën 579 llojeve të ndryshme. Merimangat rezultuan ndër krijesat më të zakonshme: ato u gjetën në të gjitha shtëpitë e studiuara, ndërsa merimangat që ndërtojnë rrjeta brenda banesave ishin të pranishme në 65% të dhomave të inspektuara.
Nuk ka arsye për panik
Vetëm 5 nga mbi 550 dhoma të kontrolluara rezultuan plotësisht pa artropodë. Studiuesit theksojnë se shumica e këtyre krijesave nuk paraqesin rrezik për njerëzit. Shumë prej tyre janë vizitorë të rastësishëm që hyjnë nga jashtë, ndërsa të tjerët janë specie të padëmshme që jetojnë qetësisht në qoshet e shtëpisë dhe ndihmojnë duke kapur insekte të vegjël, si mizat apo mushkonjat. Në vend që të jenë një kërcënim, merimangat shpesh luajnë një rol të dobishëm në mbajtjen nën kontroll të insekteve brenda banesës./FC
