Last Updated on 10/11/2025 by Monika
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, doli sot në një konferencë për shtyp, ku foli për procesin e numërimit të votave pas zgjedhjeve të zhvilluara të dielën në pesë bashki të vendit.
Celibashi njoftoi se në Bashkinë e Tepelenës u testua për herë të parë përdorimi i inteligjencës artificiale në procesin e numërimit dhe vlerësimit të votave. Ai e cilësoi testin si të suksesshëm, duke theksuar se rezultatet e prodhuara nga IA përputheshin gati 100% me ato të numërimit manual.
Sipas tij, teknologjia funksionoi me saktësi të plotë në leximin e pjesës ballore të fletëve të votimit, ndërsa disa pasaktësi u vunë re në pjesën e pasme. Ai shtoi se këto diferenca mund të eliminohen përmes protokolleve teknike të reja dhe ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, në mënyrë që rezultatet e gjeneruara nga IA të mund të konsiderohen zyrtare në të ardhmen.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Celibashi theksoi se përdorimi i IA-së nga KQZ nuk lidhet me mënyrën se si e aplikojnë këtë teknologji institucione të tjera, si qeveria apo gjykatat.
Kreu i KQZ-së konfirmoi gjithashtu rezultatet zyrtare, sipas të cilave Partia Socialiste ka fituar në të pesta bashkitë ku u mbajtën zgjedhjet: Mat, Cërrik, Berat, Vlorë dhe Tepelenë./ MXH
