Last Updated on 22/05/2026 by Anisa
Ushtarakë të lartë të Forcave të Armatosura shqiptare, përfaqësues të vendeve të NATO-s dhe profesionistë civilë të fushës së sigurisë përfunduan sot me sukses Kursin e Lartë të XVI-të të Sigurisë dhe Mbrojtjes, i zhvilluar pranë Defense and Security College.
Në ceremoninë e diplomimit morën pjesë zëvendësministrja e Mbrojtjes Blerina Abrazhda, zëvendësministrja Pranvera Skana, zëvendësministri Enkelejdi Joti, si dhe zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneral brigade Rajize Mehmeti, komandantë forcash, ambasadorë dhe atashe ushtarakë të vendeve të NATO-s.
Në fjalën e saj, Abrazhda theksoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe lidhjeve të krijuara gjatë programit, duke vlerësuar kursin si një platformë të rëndësishme për ndërtimin e besimit dhe partneritetit ndërkombëtar në fushën e sigurisë.
“Gjatë këtyre muajve, Shqipëria u bë një pikë takimi ku oficerë dhe profesionistë nga e gjithë Evropa dhe Lindja e Mesme u ulën bashkë, punuan bashkë dhe mësuan nga njëri-tjetri. Kjo larmi nuk ishte pengesë. Ishte forcë. Stabiliteti në fund të fundit varet nga profesionistë të disiplinuar. Njerëz që e kuptojnë se lidershipi nuk ka të bëjë me vizibilitetin por me përgjegjësinë”, tha zv. ministrja Abrazhda.
Kursi, i mbështetur nga George C. Marshall European Center for Security Studies, përfshin pjesëmarrës ushtarakë dhe civilë nga Shqipëria, vendet e rajonit, NATO dhe shtete partnere.
Që prej vitit 2012, programi mban statusin “NATO Listed Course”, duke u konsideruar një nga forumet më të rëndësishme të formimit strategjik në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes në vend.
Programi zgjat rreth tre muaj dhe fokusohet në çështje të sigurisë globale, NATO-s, organizatave ndërkombëtare, lidershipit dhe komunikimit strategjik, me leksione të mbajtura nga ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë.
Në këtë edicion, për herë të parë morën pjesë edhe kolonelë nga Forcat e Armatosura të Jordanisë dhe Polonisë./A.D



