Situata në rajonin e Dagestan vijon të mbetet kritike, pas përmbytjeve të rënda që kanë goditur zonën gjatë ditëve të fundit.
Sipas autoriteteve ruse, tre persona kanë humbur jetën, ndërsa mbi 5 mijë banorë nga katër vendbanime janë detyruar të evakuohen për shkak të përkeqësimit të situatës.
Ministria ruse e Emergjencave bëri të ditur se reshjet intensive të shiut kanë përmbytur më shumë se 2 mijë banesa dhe shtëpi private, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Në kryeqytetin e rajonit, Makhachkala, një godinë banimi u shemb si pasojë e ujërave të rrëmbyeshëm. Autoritetet konfirmuan se është hapur një hetim penal për neglizhencë të mundshme nga zyrtarët përgjegjës.
Gjendja e jashtëzakonshme në Dagestan ishte shpallur që më 28 mars, pasi reshjet e dendura shkaktuan përmbytje masive dhe ndërprerje të energjisë elektrike. Më shumë se 327 mijë persona mbetën pa energji në kulmin e krizës.
Ndërkohë, ekipet e emergjencës vijojnë operacionet në terren për shpëtimin dhe ndihmën ndaj banorëve të prekur, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se rreziku nga përmbytjet mbetet ende i lartë./mxh
